E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca Kuq e Zi: Nuk do lejojmë që Berisha ta kthejë 100 vjetorin e Pavarësisë në festë të PD

Share

Aleanca Kuq e Zi deklaron se qeveria dhe ministria e Kulturës po përpiqen ta përdorin 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë për qëllime politike.

Ato nuk po vlerësojnë krijuesit shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve shtetëror, të cilët i kanë dhënë jetë shqiptarizmit si në fushën e krijimtarisë letrare-artistike, në dramaturgji, kinematografi, në muzikë e koreografi, në fushën e arteve figurative, në estetikë e kritikë arti. Aleanca Kuq e Zi denoncon se nuk ka asnjë proces transparent në zërat e shpenzimeve buxhetore për këtë vit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, tha Mystehak Xhemali, sekretar për Kulturën e Artin në AK.

Aleanca Kuq e Zi shpreh me forcë indinjatën e saj për ndasitë dhe urrejtjen politike që Sali Berisha po kultivon në veprimtaritë e 100 vjetorit të Pavarësisë, duke përjashtuar e selektuar pjesëmarrjen në këto veprimtari personalitete e akademikë të shquar si Prof. Dr Rexhep Qosen e shumë të tjerë, por edhe diferencim e largim të kundërshtarëve politikë të kryeministrit Sali Berisha. Denoncojmë gjithashtu ndërhyrjen brutale për interesa personale e politike në ndryshimin e historisë së lavdishme të luftës për çlirim kombëtar në periudha të ndryshme historike, përfshi edhe luftën çlirimtare të viteve 1939-1944. Aleanca Kuq e Zi deklaron se ky vit jubilar do të shënojë edhe fundin e Sali Berishës e ai nuk mund të kremtohet si një ditëlindje e tij, por si fundi regjimit të tij diktatorial, vijoi Xhemali.

Sipas tij, Berisha po tenton të sjellë këngëtarë nga Kolumbia, apo ekipe futbolli thjesht për ti bërë fushatë propagandistike PD dhe Sali Berishës në festën jubilare të 28 Nëntorit.

Aleanca Kuq e Zi deklaron se nuk do të lejojë kryeministrin Berisha që 28 Nëntorin e këtij viti ta kthejë në festë të PD, që 100 vjetorin e Pavarësisë ta shndërrojë në festë elektorale të PD, që të abuzojë me miliona euro për të përmirësuar imazhin e tij personal të rrënuar dhe do të pengojë festimet e tipave diktatoriale në Shqipërinë e shekullit XXl.

Ky duhet të ishte viti i integrimit të shqiptarëve dhe festimeve për ëndrrën e 22 viteve sakrifice, ndërkohë që Sali Berisha po përpiqet të mbulojë dështimin e tij më të madh, mos-integrimin e vendit jo në BE por në rrugën drejtë BE me spektakle të shtrenjta dhe fryrje mediatike të komiteteve ndërministrore.

Aleanca Kuq e Zi do ti festojë ndryshe përvjetorët e Pavarësisë. Ajo do të mbledhë shqiptarët me shqiptarët në Shqipërinë e bashkuar, tha Xhemali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›