“Kjo - reforma më e rëndësishme, do të rrisë reputacionin e ZRPP-së”
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi
“Portali i shërbimeve on-line të ZRPP është reforma historike e kësaj zyre në raport me publikun. Nga sot, zyra e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme është institucioni lider për transparencën dhe shërbimet on-line”.
Kështu u shpreh dje ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, gjatë ceremonisë së përurimit të Portalit të aplikimeve dhe ankesave on-line të qytetarëve në adresë të ZRPP-së.
Gjatë ceremonisë ministri Halimi tha se reforma e zhvilluar në këtë institucion është unike.
“I premtuam qytetarëve ndërtimin e një portali të ri për shërbimet on-line nga ZRPP, unik në rajon brenda vitit 2012. Sot jemi krenarë që së bashku me stafin me përkushtim të jashtëzakonshëm, arritëm në një kohe shumë më të shkurtër, për çdo skeptik, të themi se e realizuam. Ndërtuam një portal për shërbimet on-line në ZRPP”, u shpreh ministri Halimi.
Kreu i Ministrisë së Drejtësisë theksoi se ndërtimi i portalit on- line për aplikimet dhe ankesat e qytetarëve në ZRPP, është një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme si për qytetarët, ashtu dhe për institucionin, si për sa i përket përmirësimit të cilësisë së shërbimit, ashtu edhe transparencës.
“Çdo proces, çdo detaj, çdo germë, do të jetë nën monitorimin e publikut, nën monitorimin e qytetarëve. Transparenca totale e aplikimeve, respektimi i radhës se tyre me sistem elektronik, kontrolli on-line 24 ore ne 24 nga çdo qytetar, do të rrisë padyshim reputacionin e këtij Institucioni në sytë e publikut. Kjo është reforma më e rëndësishme për qytetarët. Është një premtim i mbajtur për qytetaret dhe biznesin”, vijoi më tej ministri i Drejtësie.
Duke shprehur falënderime për stafin e ZRPP-së që mundësoi ndërtimin e këtij portali, ministri Halimi theksoi se, ky portal është pjesë e planit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.
“Unë do doja të përgëzoja stafin drejtues të ZRPP-së, për përkushtimin dhe mbështetjen e reformave të thella në këtë sektor dhe një imazh tërësisht të ri që po ju japim qytetarëve. Por një përgëzim të jashtëzakonshëm dua të jap për ata që e krijuan këtë portal, tërësisht me kapacitetet të brendshme, duke derdhur lumenj djerse por dhe mençurie dhe novacioni. Dixhitalizimi, nuk është vetëm pasioni ynë por mbi të gjitha plani ynë madhor i reformave.
Ky portal, largon lodhjen për qytetaret, shmang kontaktet me punonjësit, shmang kohën, burokracitë, eliminon korrupsionin dhe modernizon sistemin. Dixhitalizimi nuk mbaron këtu, një inaugurim tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm do ta bëjmë në ditët në vijim për një nga aktorët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë për gjykatat. Plani i jashtëzakonshëm i dixhitalizmit të drejtësisë, vazhdon dhe ne po ecim ma hapa të jashtëzakonshëm drejt finalizimit të tij”, përfundoi ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.