ZRPP-ja, reformë historike me portalin e aplikimeve dhe ankesave on-line
Inaugurohet Portali i ri on-line për shërbimet e qytetarëve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje vlerësime maksimale për punonjësit e zyrave të regjistrimit në Shqipëri që kanë bërë punë të madhe për qytetarët, në një nga fushat themelore të shtetit, siç është regjistrimi i pasurive.
“Unë shpreh gjithashtu kënaqësinë time të madhe, urimet e mia më të përzemërta për ju, që me këtë akt që inaugurojmë sot dilni në krye të përpjekjeve tona të Shqipërisë dixhitale… Projektet e kësaj zyre meritojnë të klasifikohen si më të shkëlqyerat dhe kjo së pari sepse vendosen gjurmshmëri”, shprehu vlerësimet e tij Kryeministri Sali Berisha, ndërsa mori pjesë dje në inaugurimin e Portalit të ri on-line për aplikimet dhe ankesat e qytetarëve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në Tiranë.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, Kryeregjistruesi i Republikës Arben Qirjako, drejtues të ZRPP-së, punonjës të IT të angazhuar me realizimin e këtij projekti, punonjës të ZRPP-së, etj.
Fillimisht, Drejtori i IT që ZQRPP-së Xhevahir Llakaj, njohu të pranishmit me shërbimet që ofron portali dhe mënyrën e funksionimit të tij.
Ky portal i ri shërbimesh për qytetarët, i cili është pjesë e rëndësishme e reformës së dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë do të kompletojë më së mirë dhe me transparencë të plotë kërkesat e qytetarëve ndaj ZRPP, në një kohë të shkurtër dhe me kosto të ulët.
Duke filluar nga dita e djeshme, çdo qytetar për çdo veprim që kërkon të kryejë në këto zyra, si dhe për çdo shërbim që kërkon të marrë, do të paraqitet aty një herë të vetme për të plotësuar aplikimin përkatës dhe për tu pajisur me username dhe passëord. Pas këtij momenti qytetari nuk ka me asnjë kontakt fizik me ZRPP, por nëpërmjet username-it e passëord-it personal ai do të mund të ndjekë në portal ecurinë e aplikimit të tij. Nëse qytetari konstaton vonesa në ecurinë e aplikimit, ai mund të paraqesë një ankim on-line, nëpërmjet pjesës tjetër te portalit te ri.
Më pas, Kryeministri përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi punonjësit e ZRPP-së për punën shumë të rëndësishme në shërbim të qytetarëve, në njërën prej fushave më themelore të shoqërisë dhe të shtetit, siç është regjistrimi i pasurive.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që Shqipëria dixhitale, e cila deri pak vite më parë ishte e paimagjinueshme për qytetarët shqiptarë, tashmë po bëhet gjithnjë e më e prekshme, gjithnjë e më reale për ta.
Kryeministri tha se zbatimi i projekteve të tilla rrit transparencën e punës së administratës shqiptare dhe disiplinon zyrtarët për më shumë eficentë dhe shpejtësi në gjetjen e zgjidhjeve për kërkesat e qytetarëve.
Gjithashtu, Kryeministri ftoi të gjithë specialistët në sektorin e ICT, studentët të cilët aktualisht studiojnë në fushën e informatikës dhe teknologjisë së informacionit, pedagogët, katedrat e kompaninë, që në kohën e mundësive të mëdha, të guxojnë të ndërmarrin projekte në këtë fushë, në dobi të inovacionit dhe të ardhmes së Shqipërisë dixhitale.