E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca Kuq e Zi: Të zbardhet takimi i zyrtarit grek, Zepos

TIRANË Aleanca Kuq e Zi ka reaguar dje, në lidhje me vizitën që dy ditë më parë zhvilloi në Tiranë, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Yannis-Alexis Zepos. Ky i fundit zhvilloi një takim me homologun e tij shqiptar, Gazmend Turdiu, me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe kryeministrin, Sali Berisha. Ministria e Jashtme njoftoi shumë pak dhe përciptas mbi arsyet e vizitës së zyrtarit të lartë grek, ndërkohë që burime jo zyrtare, theksuan se temë e diskutimit kane qenë pikërisht rregjistrimi i popullsisë dhe marrëveshja detare Shqipëri-Greqi. Për këtë arsye, Aleanca Kuq e Zi e ka konsideruar të papranueshme që biseda mes zyrtarit grek dhe palës shqiptare nuk u bë transparente për publikun. “Aleanca Kuq e Zi kërkon që bisedimet e së hënës, mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, të jenë transparente dhe larg territ diplomatik, si dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare që të mos bëjë kompromis me çështjet kombëtare të ndarjes së kufirit, të regjistrimit të popullsisë dhe të çështjes çame. Çdo pazar me këto tre çështje, në këmbim të avokatisë greke, në Bashkimin e Evropian do të kontestohet ashpër nga i gjithë populli shqiptar“, - thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›