E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ngjarja provë për drejtësinë, autorët së shpejti para ligjit”

10-09-2011 / Gazeta 55

Ministri i Drejtësisë Edurad Halimi ngushëllon familjen e gjyqtarit të vrarë
 
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, së bashku me trupën gjyqësore të Vlorës, pas një takimi me grupin e hetimit,  zhvilloi dje pasdite një vizitë ngushëllimi në familjen e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi.
Në deklaratën e tij për media bërë menjëherë pas këtij takimi ai dënoi krimin dhe e cilësoi vrasjen e gjyqtarit të gjykatës së Rrethit të Vlorës, si një goditje tepër të rëndë për vetë shtetin.
“Ngjarja e sotme është një provë për drejtësinë. Dora e krimit  sot goditi në zemër shtetin e së drejtës, goditi mu në thelbin e tij ekzistencën e shtetit”, tha Ministri.
“Grupi i hetimit po punon dhe po bën një punë të  shkëlqyer me një bashkëpunim të mirë me ekspertët më të mirë të  së drejtës, të policisë kriminale, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të cilët po bëjnë një hetim  të mirë”.
Ai garantoi se, “hetimi do të jetë i shpejtë dhe efikas dhe organizatorët, ideatorët dhe ekzekutorët do të vihen në prangat e ligjit”.
Më tej Ministri deklaroi se për zbardhjen e saj do të zhvillohen hetime intensive nga specialistët më të mirë, por edhe nga ekspertë të huaj në se lind nevoja. 
“Për ngjarjen e sotme do të nisin hetimet nga specialistët më të mirë dhe ekspertë të huaj në se do të jetë e nevojshme nga grupi i hetimit”, tha Ministri i Drejtësisë.
“I garantoj edhe familjarët se asnjë proces nuk do të jetë i pafundmë por do të kenë garancinë dhe mbështetjen e plotë të qeverisë që ideatorët, organizatorët dhe ekzekutorët të marrin sa më shpejt përgjigjen e merituar”, deklaroi me tej Ministri.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi gjatë gjithë ditës zhvilloi takime me krerët e rendit në qytetin e Vlorës menjëherë pas aktin e shëmtuar kriminal që mori jetën e gjyqtarit 33 vjeçar Skerdilajd Konomi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›