Arvizu dhe Topi: PS e PD të rinisin dialogun për të ardhmen e vendit
Kryetari i Shtetit theksoi se reforma zgjedhore është një ndër hapat më imediate, që kërkon angazhimin maksimal dhe vullnetin e duhur të palëve, çfarë pritet të garantojë një kornizë ligjore në shërbim të përmirësimit të standardit të proceseve të ardhshme elektorale në vend. Edhe Ambasadori amerikan, Arvizu, theksoi domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformave, dhe për këtë, përgjegjësia i takon klasës politike shqiptare.
TIRANË Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, zhvilloi dje një takim pune në Presidencë me kreun e shtetit, Bamir Topi. Siç njofton edhe zyra e shtypit e Presidencës, në takimin e zhvilluar mes tyre, u bisedua mbi çështje aktuale të situatës politike dhe institucionale në vend, duke theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit politik mes klasës politike shqiptare, në funksion të reformave të rëndësishme për konsolidimin demokratik dhe institucional të shtetit si dhe, zhvillimin dhe integrimin e vendit. Presidenti i Republikës dhe Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë ndanë të njëjtin mendim, se mazhoranca dhe opozita duhet të rinisin dialogun konstruktiv institucional dhe të nxisin bashkëpunimin reciprok në shërbim të së ardhmes së vendit.
Presidenti Topi vuri në dukje se klasa politike shqiptare duhet të bashkojë përpjekjet në mënyrë që kontributi i saj në përballjen me sfidat më të rëndësishme politike dhe ato të integrimit, të jetë i dukshëm dhe efikas. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit theksoi se reforma zgjedhore është një ndër hapat më imediate, që kërkon angazhimin maksimal dhe vullnetin e duhur të palëve, çfarë pritet të garantojë një kornizë ligjore në shërbim të përmirësimit të standardit të proceseve të ardhshme elektorale në vend. Në këtë pikë, edhe Ambasadori amerikan, Arvizu theksoi domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformave, dhe për këtë, përgjegjësia i takon klasës politike shqiptare. Presidenca njoftoi gjithashtu se temë e bisedës mes tyre ishte edhe situata në rajonin ballkanik.
Sipas njoftimit për shtyp, Presidenti Topi u ndal gjatë bisedës në vizitën e tij të fundit në Serbi, në Samitin e 9-të Rajonal të UNESCO-s të krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore dhe takimin me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, në të cilin, ndër të tjera, i rikonfirmoi se “Shqipëria mbështet bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dy vendet”, - ndërkohë që nënvizoi se “Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës, në kufijtë e saj aktualë, të njohur ndërkombëtarisht”. Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu vlerësoi rolin moderator të faktorit shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajonin ballkanik dhe qëndrimet konstruktive të politikës së jashtme shqiptare, të dëshmuara edhe përgjatë zhvillimeve më të fundit atje. Prej disa ditësh, Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ka ndërmarrë disa takime që në thelb konsistojnë në nxitjen e dialogut mes palëve, aq shumë e kërkuar për realizimin e reformave të nevojshme, me qëllim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pak ditë më parë, Ambasadori amerikan zhvilloi një takim edhe me kryetarin e opozitës, Edi Rama, ku kryesisht u njoh për kursin e ri politik që kjo forcë politike do të ndërmarrë në Kuvend.