E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca Kuq e Zi, platformë për pronat: Ligji 7501, burim i të gjitha krizave

Share

Aleanca Kuq e Zi shpalli sot platformën për çështjen e pronave, në bashkëpunim me organizatat dhe shoqatat e ish-pronarëve.

Aleanca shprehet se ligji 7501 është burim i të gjitha krizave dhe se e vetmja zgjidhje është korrigjimi i këtij ligji.

“Jemi në një situatë, ku njerëzit ndihen të tradhtuar, vargu i akteve ligjore dhe nënligjore, të cilët burojnë nga ligji 7501, i cili realisht është një tradhti kombëtare për të futur shoqërinë shqiptare, për të futur territorin shqiptar në një kaos, duke nxjerre jashtë kontrollit territorit dhe duke e bërë shtetin e parë në Europë, i cili nuk ka kontroll mbi territorin e vendit. Duke bërë që brez pas brezi shqiptarëve mos iu njihet prona e tyre, prona e cila trashëguan nga prindërit, gjyshërit, paraardhësit e tyre, pronë e cila u fitua me djersë dhe me gjak nga paraardhësit e tyre”, tha Spahiu.

Agim Toro, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi tha se kostoja e mos kompensimit të pronave në dëm të pronarëve legjitim, sipas përllogaritjeve shkon në 30 miliardë euro.

“Unë personalisht, por edhe shokët e mi, nuk ia falim politikës shqiptare, qënien e Shqipërisë jashtë Europës, pas 20 vjetësh pushtet demokratik. Kjo ndodhi thjesht sepse mentaliteti komunist i vlerësimit të pronës vazhdon të jetë njësoj, si në të kaluarën”, tha Toro.

Sekretari i përgjithshëm i shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agim Toro, shprehet se çështja e pronave e pengon vendin në integrimin europian.

Në fund të këtij aktiviteti shoqatat e ish-pronarëve nënshkruan një deklaratë për t’ju bashkuar Aleancës Kuq e Zi. Propozimet dhe sugjerimet e dala nga kjo tryezë, Aleanca Kuqëzi do t’ia bashkojë programit, i cili do të paraqitet për miratim, në Kuvendin mbarëkombëtar që do të mbahet në muajin maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›