Raportuesit e KiE: Gjetëm situatë politike më të mirë se në 2011
Në përmbyllje të misionit faktmbledhes të tyre në Tiranë, dy bashkëraporteret e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp. Duke bërë një përmbledhje të përgjithshme të vizitës tre ditore në Tiranë dhe axhendës së ngjeshur me aktorë të rëndësishëm politikë dhe jo vetëm, Jirsa theksoi se krahasuar me vizitën e fundit të tyre në Shqipëri vihet re bashkëpunim mes palëve, bashkëpunim ky sipas standarteve europiane. Sa i përket ngjarjeve të 21 janarit, ai nuk dha koment në lidhje me cështjen, por bëri thirrje për mosndërhyrje në insitucionet e pavarura, në mënyrë që këto hetime të shkojnë deri në fund.
“Jemi këtu në kuadër të misionit raportues mbi progresin në Shqipëri. Kemi tre ditë këtu , kemi pasur një sërë takimesh me krerët më të lartë të shtetit dhe personalitetete të tjera. Një tipar dallues i vizitës është se kemi vënë re bashkëpunim, gjë që ka munguar në takimet e tjera, që është në përputhje të plotë me standartet europiane dhe ato të Këshillit të Europës. Krahasuar me qershorin e 2011-tës situata është më e mirë, më e qetë dhe jemi të vendosur të ndihmojmë Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Sa i përket 21 janari është një cështje në hetim, institucionet duhet të lihen të pavarura në hetime, për të nxjerrë rezultatin” tha ai.
Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe bashkëraportuesi Grigore Petrenco, ndërsa ka shtuar se lidhur me zgjedhjet presidenciale kemi marë garanci nga politka shqiptare për respektim të Kushtetutës dhe shmangien e një tensioni të mundshëm mes palëve.
“Kemi pasur një program shumë kompleks, jemi takuar me një numër të madh aktorësh politikë në vend. Jemi në statusin e monitoruesve të Shqipërisë, jemi këtu për të dëgjuar, që në një fazë të mëvonshme të bëjmë hartimin e raportit. Klima politike në Shqipëri është pozitive krahasuar me 2011. Në takime kemi diskutuar gjatë sa i përket luftës kundër korrupsionit, po kështu heqja dhe kufizimi i imunitetit mbeten cështje të rëndësishme. Kemi diskutuar dhe për zgjedhjet e ardhëshme presidenciale u siguruam për respektim të Kushtetutës dhe se kjo cështje nuk do të shndërrohet në një burim tensioni mes palëve”theksoi ai.