E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca Kuq e Zi reagon për skandalin në Prilep

(E plotësuar)

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar ndaj fyerjeve në ndeshjen miqësore Maqedoni-Shqipëri, të zhvilluar në Prilep.

Fyerjet ndaj simboleve kombëtare shqiptare, AK i cilësoi provokim kombëtar dhe thirrjet e tifozëve maqedonë si shoviniste e raciste. Aleanca konsideron se kjo që u dëshmua në këtë ndeshje, ishte shprehje e një nacionalizmi primitiv dhe të dhunshëm.

AK ia ka bërë thirrje qeverisë maqedonase të distancohet nga këto akte dhe të ndëshkohen ata persona që janë pjesë e këtyre turmave histerike.

Edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj koreve raciste maqedonase gjatë ndeshjes miqësore Maqedoni-Shqipëri, që u zhvillua të martën në stadiumin ‘Goce Dellcev’ në Prilep.

"Autoritetet shqiptare dhe maqedonase të reagojnë për thirrjet antishqiptare. Partitë shqiptare në Maqedoni duhet të frenojnë këto akte", thotë PDIU në reagimin e saj.

Në këtë ndeshje nuk kanë munguar fyerjet raciste.

Tifozët maqedonas të vetëquajtur “Majmunë’ që nga fillimi i ndeshjes kanë lëshuar shumë thirrje antishqiptare.

“Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, ishin thirrjet raciste të tifozëve maqedonas.

Pa gola, pa miqësi

Kombëtarja e Shqipërisë e ka nxjerrë një barazim si mysafire e Maqedonisë, pasi takimi mes tyre ka përfunduar pa gola. Kjo ndeshje mbante epitetin e miqësores, por realisht nuk ishte e tillë. Tifozët maqedonas sërish e shprehën urrejtjen ndaj shqiptarëve, të cilët i fyen në baza etnike. Fyerjeve të tyre me sharje u janë kundërpërgjigjur edhe tifozët shqiptarë.

Kombëtarja e Shqipërisë e ka nxjerrë një barazim në miqësoren si mysafire e Maqedonisë, pasi takimi mes tyre, i zhvilluar të martën në Prilep, ka përfunduar pa gola.

Në këtë ndeshje, forcat në terren mes dy skuadrave ishin thuajse të barabarta. Sikurse maqedonasit, ashtu edhe kuqezinjtë, kanë krijuar mundësi për të shënuar gola, por kanë dështuar t’i konkretizojnë ato.

Në fakt, vendasit kanë shënuar një herë në portën kuqezi në minutën e 36-të, por ky gol është anuluar, pasi Naumovski kishte shënuar nga pozita jashtë loje. Ndërkohë, gjatë pjesës së dytë, ekipet kanë krijuar më pak raste të mira për shënim, në dallim prej pjesës së parë.

Sidoqoftë, për kuqezinjtë rastin më të mirë gjatë kësaj pjesë-loje e ka pasur kapiteni Lorik Cana në minutën e 70-të, derisa për maqedonasit shans të mirë ka humbur në minutën e 80-të futbollisti shqiptar, Agim Ibrahimi.

Përveç Ibrahimit, i cili në lojë është inkuadruar gjatë pjesës së dytë, për përfaqësuesen maqedonase nga fillimi i ndeshjes janë paraqitur edhe tre lojtarë tjerë shqiptarë – Muhamed Demiri, Ferhan Hasani dhe Bajram Fetai.

Kuqezinjtë i ka kënaqur ky barazim. “Pas asaj humbje me Azerbajxhanin, u munduam që të përmirësohemi në duel me Maqedoninë. Deri diku ia arritëm. Ishte lojë fizike, me shumë duele. Barazimi është i favorshëm për ne, sepse mbi të gjitha kishim mungesa të rëndësishme, ndërsa ne lojtarët më të ri u munduam t’i mbulojmë ato dhe deri diku ia kemi dal ta bëjmë një gjë të tillë”, tha për Express sulmuesi kosovar i Vorskla Poltavas, Ahmed Januzi.

Ndërkohë, mediat në Tiranë kanë kritikuar nikoqirin e kësaj miqësoreje, Maqedoninë. Sipas tyre, Federata Shqiptare e Futbollit nuk është dashur të pranonte që skuadra e saj të luajë në Prilep, ku fusha nuk ishte në gjendje të mirë. Njëherësh, ato kanë kritikuar ekipin maqedonas për lojën e ashpër që ka aplikuar. Ndërkohë, me theks të veçantë mediat shqiptare kanë kritikuar tifozët maqedonas, për thirrjet e tyre anti-shqiptare, gjatë kësaj miqësoreje.

Kurse, mediat në Maqedoni kanë theksuar se ndër thirrjet e shumta të tifozëve vendas ishin: ‘Shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë’, ‘Dhoma gazi për shqiptarët’, “Mbyte shqiptarin’, etj. Sipas tyre, pas ndeshjes, futbollistët shqiptarë janë shprehur të zhgënjyer me pritjen aspak të mirë që ua kishin bërë tifozët maqedonas.

I zhgënjyer ishte edhe sulmuesi vushtrrias, Ahmed Januzi. “Vërtet fyerjet e tifozëve maqedonas ishin të pahijshme. Por, ne si futbollistë nuk jemi marrë me to, por jemi munduar t’i kryejmë sa më mirë detyrat tona në fushë. Në fund të fundit, ne jemi të vetëdijshëm se maqedonasit kaherë na kanë urryer neve shqiptarëve. Me fyerjet, ka kush të merret”, tha 22 vjeçari.

Mirëpo, fyerjeve të tifozëve maqedonas me sharje u janë kundërpërgjigjur edhe tifozët shqiptarë nga Tetova, Ballistët, të cilët me vonesë kishin mbërri në Prilep, shkaku i një aksidenti rrugor.

Sidoqoftë, ky ishte barazimi i tretë mes përfaqësueseve të këtyre dy vendeve fqinj, nga gjithsej tetë ndeshje të zhvilluara, prej të cilave maqedonasit i kanë fituar katër, derisa shqiptarët vetëm një.

Edhe në këtë takim, Kombëtarja shqiptare ka luajtur pa selektor, por është udhëhequr nga përzgjedhësi i ekipit U-17, Dzemal Mustedanagic. Ky i fundit i ka udhëhequr kuqezinjtë edhe në humbjen që e pësuan të premten e kaluar nga Azerbajxhani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›