Aleanca KuqeZi: Siguria kombëtare, e cunguar. Do hetojmë privatizimin e reparteve ushtarake
Aleanca KuqeZi ngre alarmin për cenimin e sigurisë kombëtare në vend, në kushtet kur sipas kryetarit Kreshnik Spahiu ka një korrupsion në rritje dhe shpërdorim të forcave të armatosura për interesa të pushtetit. Spahiu ka shigjetuar kryeministrin Berisha për mosfunksionim as të Këshillit të Sigurimit prej shumë vitesh në vend.
Ne vijmë këtu me shqetësimin që nëse forcat e armatosura shqiptare do ishin në nivelin dhe standardin e vendeve anëtare të NATOS, që ëndrra dhe aspirata shekullore e shqiptarëve në rajon, por edhe në dy shtetet shqiptare Shqipëri dhe Kosovë do të ishte më pranë.
Në shtetin amë, Shqipëri, Presidenti dhe kryeministri nuk kanë bashkëpunuar dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk është mbledhur dot 5 vitet e fundit. Ende kryeministri i Shqipërisë i konsideron institucionet, shtetin, përfshi dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si pronë private dhe që duhen drejtuar nga partia shtet, tha Spahiu.
Aleanca KuqeZi do të riorganizojë forcat e armatosura duke i kthyer ato në kushtetuetshmëri. Gjithashtu ne mendojmë që forcat e armatosura të RSH duhen rikompozuar bazuar në parimin e ekuilibrit të fuqisë ushtarake me shtetet e rajonit. Ky rikompozim synon që të sigurojë më shumë paqe në rajon. Kjo nënkupton që forcat e armatosura shqiptare duhet të jenë në numër dhe kapacitete te ngjashme apo të krahasueshme me vendet e rajonit, anëtare të NATO. Prioriteti ynë do jetë përmirësimi i infrastrukturës ushtarake në armatim dhe logjistikë të ngjashme me Greqinë, Slloveninë, Kroacinë, Rumaninë dhe vende të tjera në rajon, vijoi Spahiu.
Kreu i AK ngriti edhe shqetësimin e municioneve në Shqipëri.
Aleanca Kuq e Zi do të inventarizojë urgjentisht municionet e mbetura për asgjësim dhe do bëjmë transparent procesin e demontimit dhe shitjes së tyre.
Do të sigurojmë një proces transparent dhe publik për opinionin në lidhje me fatin e aseteve ushtarake.
Shqiptarët duhet të dinë se çfarë është bërë me afro 200 avionë, 1060 tanke, 14.000 murtaja, 10842 gryka zjarri dhe mijëra raketa apo, 4 nëndetëse, 85 anije luftarake, mijëra ton municione. Ne do ti japim përgjigje shumë pikëpyetjeve nëse këto asete ushtarake që konsiderohen asete kombëtare kanë qenë objekt korrupsioni, shpërdorimi, asgjësimi, humbje apo trafikimi, theksoi Spahiu.
Por ajo që është edhe me shqetësuese për Aleancën, është privatizimi për interesa personale te qeverise i reparteve ushtarake. Sipas Spahiut duhet një strategji e qartë për sigurinë kombëtare për të qenë një vend i denjë për në NATO.
Aleanca KuqeZi do hetojë dhe do të denoncojë procesin e privatizimit të qindra objekteve, aseteve dhe reparteve ushtarake të cilat janë privatizuar dhe po hipotekohen nga ministrat, deputetët, qeveritarët dhe familjarët e tyre. Kjo përbën një krim ndaj sigurisë kombëtare dhe ato pasuri do të sekuestrohen sërish pasi ata nuk mund të gëzojnë pasuritë tona kombëtare, tha Spahiu.
SHISH dhe SHIU kanë qenë në mënyrë permanente institucione nën shantazh dhe presion politike dhe gjerësisht të përdorura duke mos kryer funksionin kushtetues për sigurinë kombëtare por kanë devijuar duke u keqpërdorur nga regjime politike dhe parti të ndryshme. Ne do i sigurojmë këtyre institucioneve autonomi të plotë në vendimmarrje profesionale për çështjet e sigurisë kombëtare, vijoi Spahiu.
Kreu i AK deklaroi se ata do zgjidhin problemin e çarmatosjes së popullsisë dhe garantimin e jetës dhe pronës së qytetarëve.
