Aleanca për Qytetarin do ta mundë Aleancën e Betonit

Koalicioni i djathtë çel fushatën elektorale për Durrësin, duke u diferencuar, jo vetëm prej pjesëmarrjes e entuziazmit, por edhe për shkak të alternativës antikorrupsion që paraqet, përballë ikonave të shpërdorimit të pushtetit, që janë rreshtuar në krah të Edvinit
Berisha: Ne jemi mazhoranca e premtimeve të mbajtura
“Në këtë fushatë, ne kemi një qëllim që të ndërtojmë dhe të hartojmë së bashku programin më të shkëlqyer që Durrësi dhe Shqipëria kanë njohur në historinë e saj, programin e vlerave, programin e zhvillimit, programin e vizionit”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në çeljen e fushatës elektorale në Durrës. Përmes një mitingu madhështor në pallatin e sportit, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, prezantoi kandidatin për bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj. Kreu i qeverisë Berisha, në fjalën e tij falënderoi me mirënjohje qytetarët durrsakë, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe i japin mazhorancës aktuale, të cilën kryeministri e cilësoi mazhorancën e ndryshimit të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Kryeministri tha se këto vite qeveria ka bërë çdo gjë, për t’i dhënë Durrësit infrastrukturën e një qyteti modern, duke investuar në territorin e bashkisë së këtij qytetit, përkatësisht nga Shkëmbi i Kavajës deri në Currila e Porto Romano 60 milion dollarë, në ujësjellës e kanalizime 30 milionë dollarë, në Portin e Durrësit 50 milionë dollarë, si dhe janë ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth 300 km rrugë, 52 shkolla, 105 ujësjellës dhe kanalizime.
“Jam te ju për të paraqitur kandidatin për kryetar të ardhshëm bashkie, njërin prej personaliteteve me te spikatura të Partisë Demokratike, të mazhorancës aktuale, njërin prej bijve të Durrësit, ish ministrin e suksesshëm të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotin Ferdinand Xhaferaj. Cilido që njeh Durrësin, që viziton qytetin tuaj gjen në këtë qytet, konstaton të shkuarën madhështore te shekujve, mijëvjeçarëve të Durrësit. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë të ardhmen më madhështore të këtij qyteti, ndaj jam sot këtu, për tu dhënë ju fjalën se qeveria do t’i japë Ferdinand Xhaferajt mbështetjen me të fuqishme për Durrësin e shekullit të 21. Ne duam që Durrësi të qëndrojë në lartësinë e të shkuarës së tij madhështore, duam që Durrësi të projektojë vizionin madhështor të së ardhmes që meriton. Këto vite ne kemi bërë çdo gjë, për t’i dhënë Durrësit infrastrukturën e një qyteti modern, kemi investuar në territorin e bashkisë së Durrësit nga Shkëmbi i Kavajës deri në Currila e Porto Romano 60 milion dollarë, kemi investuar në ujësjellës e kanalizime, 30 milionë dollarë, kemi investuar në Portin e Durrësit 50 milionë dollarë, kemi rindërtuar dhe ndërtuar në rrethin e Durrësit 300 km rrugë, 52 shkolla, 105 ujësjellës dhe kanalizime”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se “Aleanca për Qytetarin”, të gjithë fushatën e saj e ka të bazuar te qytetari dhe interesi i tij.
“Këtë fushatë ne do ta bazojmë tërësisht tek ju, një fushatë për qytetarin me qytetarin. Ju jeni të parët, ju do të mbeteni të parët, sepse morali juaj është ai moral që do të çojë Shqipërinë me shpejtësi drejt Evropës së qytetëruar. Ju jeni të parët sepse me ju dhe vetëm me ju do të ndërtojmë së bashku, do të hartojmë së bashku qindra dhe mijëra projekte për Durrësin e sotshëm dhe të ardhshëm, për bashkitë dhe komunat e sotme dhe të ardhme, për Durrësin evropian, Shqipërinë evropiane. Ju jeni të parët sepse ne duam para së gjithash dhe mbi të gjitha ti japim përgjigjen më të mirë, së bashku, halleve, derteve, shqetësimeve, preukopimeve tuaja dhe të fëmijëve tuaj. Për ne, punësimi juaj, për ne, shërbimet ndaj jush, për ne, shëndeti juaj janë dhe do të mbeten përparësi të mëdha”, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi para mbështetësve të Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë se alternativa e mazhorancës është ajo e premtimeve të mbajtura; është alternativa që po punon për zhvillimin e Shqipërisë Evropiane.
“Alternativa jonë është alternativa e premtimeve të mbajtura, alternativa e ndryshimeve te mëdha. Në këto vite ne ia dolëm së bashku të shndërrojmë Shqipërinë në vend anëtar të NATO-s. Këto vite ne ia dolën së bashku që Shqipëria, e cila nuk ekzistonte në hartën turistike, të jetë sot destinacioni kryesor turizmit në botë. Këto vite ne ia dolëm së bashku, të lëvizim të lirë, me dinjitet në mbarë Evropën. Këto vite, ne ia dolëm së bashku të ndërtojmë, të ngremë këtu në Durrës, njërin nga universitet më moderne të vendit. Ne ia dolëm të dyfishojmë rrogat, të dyfishojmë pensionet, ia dolëm të shënojmë kthesën e madhe në sistemin e edukimit të fëmijëve tanë”, tha kryeministri.
Berisha premtoi se vizoni për Durrësin e së ardhmes do të jetë një qytet i zhvilluar në shumë aspekte si atë turistik, industrial, kulturor, etj.
“Vitet që vijnë vizoni ynë për Durrësin është Durrësi, një nga qytetet turistike kryesore në Mesdhe. Vizioni ynë për Durrësin është Durrësi, një nga portet më të rëndësishme të Adriatikut. Vizioni ynë për Durrësin është Durrësi një nga qendrat industriale më të mëdha, të vendit. Vizioni ynë për Durrësin është Durrësi, një nga gjeneratorët kryesor të zhvillimit të Shqipërisë”, tha kryeministri.
Por, siç do të shprehej shefi i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha, krahas alternativës së qytetarit dhe Shqipërisë së zhvilluar, ekziston edhe një alternativë tjetër e cila kujdeset vetëm për “rrugën e Partisë”.
“Krahas nesh është një alternative tjetër, e cila nisi me ‘fajin e ka Saliu’ dhe bitisi me ‘rrugën e Partisë’. Unë dhe zoti Xhaferraj dhe të gjithë kandidatët tanë, në alternativën tonë përjashtojmë kundërshtarin sepse ne na frymëzon zhvillimi, na frymëzojnë vlerat, sepse ne na frymëzon morali juaj dhe jo disfata e tyre, sepse ne na frymëzon e ardhmja juaj dhe jo e shkuara e tyre, sepse ne na frymëzojnë problemet tuaja, shqetësimet tuaja dhe jo rruga e partisë, ndaj dhe do ti them shokëve dhe zotërinjve vazhdoni të qetë rrugën e vetmisë, vazhdoni të qetë rrugën e partisë”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.