Rama: Plagosja e Kajës, pas ngjarjes me flamujt e LSI-së
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama e ka lidhur plagosjen e kryeinspektorit të ndërtimores në bashkinë e Tiranës me incidentin e ndodhur në njësinë bashkiake numër 5 në kryqytet.
Në një prononcim për mediat nga spitali Ushtarak ku ka vizituar Ardit Kajën, kryetari i Bashkisë Rama duke iu referuar incidentit të ndodhur ditën e djeshme mes simpatizantëve të LSI-së dhe policisë bashkiake theksoi se asnjë poster nuk do të lejohet të vendoset jashtë vendeve të lejuara.
“Është qëlluar në mes të Tiranës një shërbëtor i shtetit i cili në zbatim të ligjit është përballur me dhunën e asaj force politike e cila me paratë e vjedhura që gjithë Shqipëria i pa ka dhunuar dhe ka mbrojtur qytetin tonë” theksoi Rama.
Ai ka theksuar më tej se nuk do të lejohet asnjë poster apo flamuj të asnjë force politike të vendoset nëpër pemë dhe shtylla të qytetit pasi sipas tij qytetarët nuk dëshirojnë ndotjen e qytetit.
Heqja e flamujve të LSI-së nga shtyllat elektrike buzë rrugës ku ka marrë pjesë edhe kreu inspektoriatit të Ndërtimit Ardit Kaja ka ndodhur ditën e djeshme në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, ku policia bashkiake në operacionin për heqjen e posterave dhe flamujve ka hasur në rezistencën e drejtuesve dhe simpatizantëve të kësaj partie.
Ndërkohë kryeinspektori i ndërtimores në bashkinë e Tiranës Ardit Kaja është qëlluar me armë nga dy persona të panjohur të maskuar të cilët udhëtonin me një motorr. Ai ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak pasi ka marrë plagë në këmbë por sipas mjekëve ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.