Zihet me të dashurin, studentja tenton vetëhelmimin
Vajza, studente e vitit të tretë në Korçë konsumoi sasi medikamentesh. Mjekët: Jashtë rrezikut për jetën
Korçë- Një studente e universitetit "Fan Noli" të Korçës, ka vendosur t'i japë fund jetës, ndërsa ka shpëtuar falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve. Studentja 22-vjeçare nga rrethi i Pogradecit mësohet të ketë pasur një konflikt me të dashurin e saj, pas të cilit ka vendosur të vdesë duke pirë disa barna mjekësore. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së të mërkurës, kur E.M. 22-vjeçare, studente në vitin e tretë të degës anglisht është përfshirë nga një gjendje e ngarkuar emocionale. Konsumimi i një sasie të madhe barnash mjekësore që ajo ka siguruar në rrethana ende të paqarta ka rrezikuar jetën e saj, ndërsa shoqet e dhomës kanë dhënë të tmerruara alarmin. Kur e kanë parë në gjendje të rëndë shëndetësore fill pas konsumit të sasisë së barnave, shoqet e dhomës e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Korçës. Duke iu referuar burimeve të policisë lokale, e cila ka nisur dhe hetimet për këtë vetëhelmim që për fat të mirë nuk ka çuar në vdekjen e studentes, banore e fshatit Gështenjas në rrethin e Pogradecit, vajza ishte grindur keq me të dashurin e saj. Në fakt zënka ka qenë për motive krejt banale xhelozie, ndërsa debati i tyre që është mësuar dhe nga disa shoqe të saj, dukej se ishte sqaruar, vajza ka vendosur të vdesë. Duke menduar se kështu do t'i jepte një mësim të mirë mikut të saj të zemrës. Gjithçka në fakt ka përfunduar jashtë parashikimeve të të vetëhelmuarës për fat të mirë, ndërsa ndërhyrja në kohë e mjekëve të spitalit rajonal të Korçës e ka shpëtuar atë nga vdekja e sigurt. Por pasi ka mësuar për këtë akt të E.M. dhe i dashuri i saj, një student gjithashtu konviktor në universitetin "Fan Noli" në Korçë ka vendosur t'i qëndrojë tek koka asaj, për t'i treguar se ishte me të dhe nuk mund të pranonte kurrsesi ta humbiste. Studentja gjendet e shtruar në spitalin e Korçës, ndërsa sipas mjekëve të këtij spitali e ka kaluar rrezikun për jetën.