E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatë dhe kundërshtarë Presidentësh

E marr me mend, edhe pjestarët e tjerë të këtij forumi, duhet ta kenë nënvizuar fenomenin historik të përçmimit të padeklaruar të njerëzve politikisht të fuqishëm ndaj atij që është ulur në fronin më të lartë të vendit. Me këtë përçmim janë ndeshur presidentët e ndryshëm të Republikës së Shqipërisë. Këtu unë do të veçoja vetëm Ahmet Zogun (1925 – 28) dhe Sali Berishën (1992- 97). Në të shumtën e rasteve të tjera, ka qenë gjithmonë dikush që ka bërë çmos, hapur a tërthor, që t’i kujtojë njeriut të parë të vendit, se kujt ia detyron ai postin e lartë. Presidentët janë ndeshur pra me këtë forcë të errët në rrugën e tyre historike e mjerisht disa figura presidenciale kanë qenë të shtrirë që në nisje, disa janë thyer, disa janë munduar ta fshehin presionin që u është bërë. Rastet më fatlume, për të mirën e vendit, janë ato kur ata burra e kanë përballuar fisnikërisht sfidën. Presidentët kanë ardhur në krye të vendit edhe falë përkrahjes së më të fuqishmëve se ata, edhe falë manovrimeve plotitike, konsensusve dhe aleancave. Është e natyrshme të ndodhë kështu. Por është e lumnueshme të shohësh se si, Presidenti, që në ditët e para të uljes në fronin më të lartë të vendit, e ka ndjerë se ai ka arritur atje jo se ka qenë me dhunti hyjnore, por se ato kohëra i është dhënë shansi, risku dhe detyra tmerrësisht e vështirë, më e rënda nga të gjitha detyrat njerëzore, të bëhet President, të bëhet njeriu i parë i vendit. Është e bukur kur populli ve re, se Presidenti është ndërgjegjësuar që llogarinë ai nuk do t’ia japë atij apo atyre që e zgjodhën, por historisë së kombit. Detyra bëhet edhe më e komplikuar se që nga ato ditë historike të zgjedhjes ai humbet ca tipare njerëzore dhe fiton ca tipare institucionale. Që në ditët e para njerëzit rreth tij ndërgjegjësohen që janë pjesë e institucionit President. Këta janë këshilltarët që ai ka afruar, familjarët e tij dhe shokët e ngushtë që nuk janë afër Presidencës por kanë qenë dhe mbeten në shoqërinë ndikuese të njeriut në krye të saj. Miqtë dhe aleatët e Presidentit, pastaj, janë të panumërt. Janë njerëzit e thjeshtë të fshatit e të qytetit, punëtorë, intelektualë, studentë. Të gjithë njerëzit kanë nevojë për parësinë e tij. Ata mësohen që në fëmijëri ta duan të parin e tyre. Ata, mbase, nuk e njohin në të tërë hollësitë e jetës dhe të karakterit vetjak, por ia ndjejnë shënjtërinë e parësisë dhe ia njohin dhe ia respektojnë tiparet historike. Unë vetë mund ta them pa droje e pa u shitur aspak: i kam dashur e përkrahur (sipas mundësive) të gjithë presidentët që ka sjellë koha pas përmbysjes së komunizmit: edhe Berishën, edhe Meidanin, edhe Moisiun! E natyrisht e shoh me simpati dhe me shpirt i uroj zotit Bamir Topi një presidencë të mbarë! Pra, Presidentin e duan të gjithë ata që kurrë nuk kanë menduar të bëhen si ai, t’i hyjnë karrierës e t’i zenë vendin. E përderisa këta përbëjnë miliona, Presidenti duhet të jetë i ngrohtë nën këtë konstelacionin popullor. Por këta miliona aleatë, shpesh, nuk janë asgjë e bile mund të qëllojë që të mos i bëhen dot aspak krah, njeriut të parë në përballjen me ata që nuk e duan, me ata që përmenda në krye të shkrimit. Kundër tij janë njerëzit që i synojnë postin. Ai është gjithmonë në përplasje të fshehta dhe publike me ta. Qëllon shpesh që krerët e qeverisë nuk e durojnë hijen që i bën kreu i shtetit dhe ne shohim përplasje edhe me këta. Rastet e përplasjeve janë të shumta, por unë, edhe me riskun e zënies së një hapësire më të gjërë se sa lejohet në këtë forum të Shekullit, do të përmend vetëm njërën nga ndeshjet e pazhurmshme bile do të thosha nga më banalet e presidentëve me kryeministrat. Këtë rast e kam peshkuar nga dy fakte interesante: Në një intervistë, e mira Veçe Zela, që nga Zvicra, përmendëte gjëndjen e saj të varfër ekonomike dhe e shfajësonte administratën shtetërore për pensionin e saj të vogël edhe pse ajo ishte nderuar me titullin Nder i Kombit. Dritëro Agollit, që prej 15 vjetësh Nder i Kombit dhe ky, iu dha këto ditë pensioni i veçantë, një shpërblim jo kushedi se çë, por shumë më i mirë nga pensioni i zakonshëm i shkrimtarëve të moshuar. Është privilegj i Presidentit dhënia e titujve dhe dekoratave nga të cilët Nder i Kombit dhe Mjeshtër i Madh janë nga më të lartët. Presidentët në termet e tyre, kanë pritur propozime nga poshtë dhe i kanë dekretuar shkrimtarët, artistët, sportistët dhe personalitetet e shquara për arritjet e mëdha në karrierën e tyre. Por vini re: asnjëherë dhënia e titullit nuk është shoqëruar automatikisht me shpërblimin përkatës financiar. Ky privilegj i ka mbetur kryeministrit! Pastë ai emrin Berisha, Nano, Meta apo Majko! Këta zotërinj, që prej vitesh i kanë dominuar fuqimisht mekanizmat ligjorë që t’i lenë në dorë njeriut të parë të vendit, - Meidanit, Moisiut apo Topit, - mundësinë që këta të shkëputen nga përvoja e dhënies së titujve lugëzbrazur të komunizmit, ca shpërblime vetëm morale e kryesisht të dhimbshme. Bëhet fjalë për Ndere Kombi të varfër, njerëz që nuk privatizuan dot as teatro as kinema, as parqe e stadiume sportivë e as laboratorë. Nuk dua të kujtoj këtu krahasimin me gjendjen financiare të Turpeve të Kombit, që nuk kanë punë fare me Presidentin. Unë fjalën e kam për zhveshjen e të Parit të vendit nga mundësia të zotërojë një fond vjetor që nuk është sa e dhjetëmijta pjesë e shitjes së ARMOs apo e shpenzimeve të një autostrade e ta shoqërojë titullin e nderuar me një shumë të vogël parash, mujore apo të menjëherëshme. Edhe këtë mundësi e duan në dorë kryeministrat, të cilët shiten për më nikoqirë e më të përgjegjshëm për ecurinë e vendit. Në të vërtetë kështu, krerët qeveritarë kanë rast të ushtrojnë klientelizmin politik dhe të miklohen nga enturazhi miqësor i njeriut të dekoruar. Është e trishtë të mendosh Vaçe Zelën, apo Violeta Manushin, që e vojti këtë diskriminim për një kohë të gjatë, apo artistin e vyer e të papërsëritshëm Viktor Gjoka, që nuk ia dhanë kurrë pagën që kërkonte derë më derë! E çfarë ndodh në këtë praktikën qesharake? Ja se ç’ndodh: Institucioni (Bashkia, Akademia) propozon individin për dekorim. Një komision në ministri e shqyrton kërkesën dhe ia kalon ministrit për firmë, duke e siguruar titullarin e ministrisë, se propozim është i merituar. Ky e firmos dhe ia kalon Presidentit i cili pasi pyet këshilltarin përkatës, e firmos dekretin e titullit të nderit. Deri këtu luga është e zbrazur. Vjen, pastaj, përballja kryesore. Tani le të shpresojmë se do të fitojmë edhe favoret e njeriut final, atij më të fuqishmit, atij që të dekreton të lypësh apo të rrosh me një grimë dinjiteti. Individi i dekoruar, - në këtë rast Nderi i Kombit, - i drejton një kërkesë ministrisë. Kjo ka formuar një komision, që zakonisht është po ai që e miratoi propozimin që i adresohej Presidentit. Kjo mbledhje burokratike e re, e komisionit të vjetër, duhet tani se propozimi po shkon në një adresë më me peshë. Për ta bërë më specifike, Nderit të Kombit, këtij pretenduesi për të patur ca qindra lekë më shumë në sofrën dhe tryezën e tij, i kërkojnë ca vërtetime të tjera: sa veta ka në përbërjen familjare dhe sa pension merr deri tani – demek ca vërtetime varfërie – (megjithëse rastet dërmuese janë që pensionin e veçantë e marrin më të pasurit, bile shpesh dhe burrë dhe grua) dhe pastaj ia dërgojnë ministrit, duke e siguruar që Nderi i Kombit e meriton dhe adresën e Kryeministrisë! - - - - - - - - M’u desh ta banalizoj me një nga rastet që njoh më mirë. Por le të shpresojmë se miqtë e Presidentit do të shtohen, se bota politike në atdheun tonë të dashur do të mënçurohet. Dhe urojmë që këtë ta udhëheqë Presidenti i Republikës! Ne të tjerëve pas na ka! E ne jemi shumë!…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›