Pesticidet e skaduara, dështon prodhimi i patates
Fier- Pesticidet e skaduara po dështojnë prodhimin e patates në zonën e Kafarajt në komunën Frakull. Fermerët shprehen se pavarësisht dezinfektimit të kësaj bime me pesticide për t’i mbrojtur nga sëmundja, rezultati është negativ. Dhjetëra hektarë të mbjellë me patate janë prekur nga sëmundja dhe fermerët ankohen pasi nuk kanë marrë thuajse fare prodhim.
Kreu i këshillit të komunës Frakull, Dashnor Troka thotë se nuk është hera e parëqë fermerët e kësaj zone dëmtohen në prodhimet e tyre. Sipas tij shkak për këtë janë pesticidet e skaduara.
Ndërkohë ky fenomen dihet edhe nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Fatos Troka fermerët duhet të kenë kujdes në blerjen e këtyre pesticideve. Ata duhet të kontrollojnë që kimikatet që blejnë të jenë të certifikuara.
“Fermerët nuk duhet t’u besojnë fjalëve të shitëse të palicencuar, përkundrazi të drejtohen për ndihmë te specialistët e kësaj drejtorie nëpër komuna për të shmangur çdo abuzim që mund të bëjnë tregtarët”- thotë Troka.