Në kërkim 18-vjeçari, prej ditësh i zhdukur nga shtëpia
Berat- Një 18-vjeçar nga një fshat i rrethit të Beratit ka humbur kontaktet prej disa ditësh me familjen e tij. A. K. nga fshati Gjoroven ëhtë larguar një javë më parë nga familja dhe që nga ajo ditë nuk është kthyer më në banesën ku jetonte me prindërit e tij. Lajmin e bën të ditur babai i djalit, i cili ka shkuar në polici dhe ka bërë denoncimin.
Burime të policisë bëjnë me dije se Fiqiri Kosova, babai i 18-vjeçarit ka treguar se djali është larguar prej një jave nga shtëpia. Ai ka dalë për të luajtur me shokët, por nuk është kther më. Sipas të atit, familja e tyre nuk ka asnjë konflikt dhe ka mbetur e befasuar nga largimi i papritur i të birit.
“Kemi shkuar tek të gjithë të afërmit dhe na kanë thënë se nuk e kemi parë. Të njëjtën gjë kanë thënë edhe shokët e tij. Ai ka dashur të shkojë emigrant, por ne nuk e kemi lënë, për shkak të moshës së tij”- ka treguar në polici babai i 18-vjeçarit.
Policia pas kësaj është vënë në kërkim të të riut, por ende nuk ka asnjë të dhënë për të.