Kontrolli ndaj SHISH, PS kërkon miratimin e ligjit
Rikthimi i opozitës në Kuvend ka risjellë dhe debatin e munguar mes opozitës dhe mazhorancës, kryesisht në komisionet e përhershme. Të mbledhur për herë të parë për këtë sesion parlamentar, anëtarët e komisionit të Sigurisë Kombëtare kanë debatuar, lidhur me një sërë kërkesash dhe pretendimesh që kanë ngritur deputetët e opozitës, për t’u përfshirë në kalendarin e punimeve të këtij komisioni në ditët në vijim. Ajo që ka ngjallur reagimin e mazhorancës ka qënë pikërisht kërkesa e deputetëve të majtë, për të futur në axhendën e diskutimeve projektligjin “Për kontrollin parlamentar të organeve të sigurisë”, përfshirë këtu edhe atë të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Debati
Opozita është rikthyer në Komisionin e Sigurisë Kombëtare me një sërë kërkesash, drejtuar kreut të këtij komisioni, Leonard Demi, ku binin në sy ato për ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm për kontrollin e shërbimeve inteligjente dhe futjen për shqyrtim të draftit për kontrollin parlamentar të organeve të sigurisë. Ka qënë pikërisht deputeti socialistë Pirro Lutaj, ai që, duke folur në pikën e çështjeve jashtë rendit të ditës, ka ngritur shqetësimin për mos funksionimit të kontrollit parlamentar për Shërbimin Informativ. Sipas tij, me ligj, Komisioni i Sigurisë duhet të ketë tre nënkomisione, një për rendin, një për mbrojtjen dhe një për SHISH-in. Por, ndërsa dy të parët ekzistojnë, i treti, pra ai për SHISH, jo. “Në pritje të atij projektligji që është bërë gati në lidhje me kontrollin parlamentar të informacioneve të sigurisë, e kam propozuar dhe njëherë tjetër, kjo rrjedh dhe nga rregullorja e Kuvendit që, Komisioni i Sigurisë ka detyrim të bëjë kontrollin e institucioneve të sigurisë. Ka munguar sistemi i kontrollit. Mendoj që është një arsye dhe kjo që duke u përcaktuar deputëtët e këtij komisioni, si përfaqësues të një nënkomisioni respektiv, për kontrollin e një institucioni përkatës”, - tha Lutaj. Por ndaj këtij pretendimi ka reaguar kryetari i komisionit, Leonard Demi, duke theksuar se sistemi i kontrollit ka funksionuar në rregull, ndërsa për SHISH, një gjë të tillë nuk e lejon ligji ekzistues. Ndërkohë që nënkryetari socialist i komisionit ka kërkuar në mënyrë zyrtare, që drafti i hartuar dhe me konsulencën e OSBE-së, për kontrollin e organeve të sigurisë të përfshihet në axhendë sa më parë, në mënyrë që të krijohet mundësia edhe e kontrollit mbi këtë shërbim. “Dua të ngre në vëmendjen e komisionit se është hartuar një projektligj për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative. Projektligj është hartuar dhe me konsulencën e OSBE-së dhe ekspertëve britanikë. Projektligji është në Kuvend dhe është mirë që t’i sygjerojmë kryetares që ai të futet në axhendë dhe ta diskutojmë në komision”, - tha Gjoni, ndërsa ka shprehur dyshimin se mazhoranca nuk ka dëshirë që ta miratojë atë, për ta lënë institucionin e SHISH, jashtë vëmendjes së Kuvendit. Megjithatë ndaj këtij pretendimi, Demi ka gjetur rastin të sqarojë se propozuesit e atij drafti, janë pikërisht përfaqësuesit e mazhorancës. Drafti në fjalë, parashikon kontrollin parlamentar të organeve të sigurisë dhe në veçanti të atyre të inteligjencës. Për këtë parashikohet dhe ngritja e një nënkomisioni të posaçëm i cili do mund të ketë akses mbi veprimtarinë e plotë të këtyre organeve, edhe mbi informacionet e klasifikuara si sekrete.
Gjoni
Nënkryetari socialist i komisionit të sigurisë, Ilir Gjoni, ka paraqitur edhe një sërë kërkesash të tjera që kanë të bëjnë me seanca dëgjimore për një sërë shqetësimesh që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë. “Përfitoj nga rasti të parashtroj dhe njëherë kërkesën për disa raportime që ne si përfaqësues të opozitë i konsiderojmë të domosdoshme për të para ecurinë e disa prej institucioneve kryesore të sigurisë kombëtare siç është një raportim i nevojshëm nga Ministri i Mbrojtjes dhe drejtorit të SHIU-ut, që të vijnë të raportojnë për reformën”, - tha Gjoni. Gjithashtu, ai ka kërkuar praninë edhe të ministrit të Jashtëm, për të raportuar mbi sigurinë e informacionit në përfaqësitë diplomatike, ministrin e Brendshëm, dhe atë të drejtorit të përgjithshëm të policisë, për reformat në fushën e rendit dhe për gjendjen e kriminalitetit. “Po ashtu, është e domosdoshme dhe ka ardhur koha që ne të zbatojmë programin e përvitshëm që kemi, për raportimin e institucioneve kushtetuese, dhe një ndër to, është dhe SHISH në një kohë të përshtatshme”, - tha Gjoni.