E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët, kundër Berishës për komisionin hetimor

Aleatët e PD-së, më shumë sesa për çështjen "Fazliç", janë fokusuar në marrëdhëniet e brishta mes qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ndarja në dy kampe të ndryshme është vënë re edhe tek aleatët. Partia Demokristiane dënon konfliktin e ekzekutivit me Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa partitë e tjera të vogla citojnë se konflikti është me disa prokurorë që nuk zbatojnë ligjin dhe jo me Kryeprokuroren Ina Rama. Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, e ka cilësuar skandaloze idenë e ngritjes së komisionit hetimor për Prokuroren e Përgjithshme. Tritan Shehu i PDR-së vlerëson ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, ndërkohë që sekretari politik i PDK-së, Lazer Stani, i ka bërë ftesë qeverisë që të lexojë mesazhet miqësore të SHBA-së, pasi strukturat paralele dëmtojnë pavarësinë e prokurorisë. Partia Demokristiane vëren me shqetësim rritjen e tensionit dhe thellimin e konfliktit midis institucioneve kushtetuese, duke krijuar një kosto të panevojshme për vendin, reformat, të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, por edhe duke dëmtuar imazhin e qeverisjes së mazhorancës së djathtë, kur kanë mbetur më pak se nëntë muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare. Sulmet e fundit të Ekzekutivit shqiptar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, sulme ku janë përshirë ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë dhe së fundmi Kryeministri, kanë krijuar shqetësime serioze dhe po i krijojnë vështirësi institucionit të prokurorisë në kryerjen e misionit të saj kushtetues. PDK vlerëson punën e deritanishme të Prokurorisë së Përgjithshme dhe e gjykon të dënueshme ngritjen e strukturave paralele për të dubluar dhe vënë nën presion Prokurorinë e Përgjithshme, siç deklaroi Kryeministri për rastin e hetimit të dosjes "Fazliç". "Qeveria e dalë nga mazhoranca e djathtë është përgjegjëse për menaxhimin eficent dhe në interes të publikut të parave të taksapaguesve shqiptarë. PDK konsideron keqmenaxhim dhe keqpërdorim të fondeve publike shpenzimin e parave për të ngritur struktura paralele, për të dubluar dhe dëmtuar punën e institucioneve kushtetuese", tha Stani.

PDK gjithashtu vlerëson dhe mbështet plotësisht mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Ne na vjen më të vërtetë keq që Kryeministri i vendit gjen kohë të merret dhe shpenzon energji të pafundme me një biznesmen nga Bosnja, i cili gjithsesi duhet të respektojë ligjet dhe institucionet kushtetuese shqiptare, sa kohë që ushtron veprimtarinë e tij në Shqipëri dhe nuk gjen kohë prej më shumë se dy vjetësh të mbledhë tryezën e aleatëve dhe të bisedojë bashkërisht me partitë pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës për reformën në drejtësi, ligjin e ri zgjedhor dhe probleme të tjera madhore që shqetësojnë sot vendin", tha ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›