E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët, “pazar” kundër Dukës

(LEONARD KARAJ) - Nuk ka ende një emër të përveçëm gjithpërfshirës, sipas tyre që do të dalë kundër presidentit aktual të Federatës shqiptare të Futbollit Armand Duka në zgjedhjet e 9 marsit për kreun e ri të këtij institucioni. Megjithëse kohët e fundit janë përfolur mjaft emra ku ndër më të lakuarit janë Rudi Vata, Sulejman Starova, Mehdi Bushati e Refik Halili sërish konfirmohet se nuk ka një kandidaturë të zyrtarizuar që do të vihet kundër Armand Dukës. Fakt është se “populli opozitar” ka rënë në ujdi që për zgjedhjet e këtij viti të dalin me një kandidat të vetëm. Një gjë e tillë do të ruajë unitetin  grupimit si dhe do të ndihmoijë më shumë në fitoren e mundshme në garën për Njëshin e FSHF-së.
Ideja
Mendohet se një kandidat i vetëm në zgjedhje kundër kreut aktual të federatës nuk do të përçante votat e pjesës opozitare sikundër ndodhi katër vjet më parë ku në garë kundër Armand Dukës u paraqitën dy kandidatë: Salvador Kaçaj dhe Edmond Haxhia. Këta dt të fundit nuk morën më shumë se 19 vota duke bërë të munduar që Armand Duka të rimerrte edhe për katër vjet drejtimin e federatës. Pikërisht kësaj gjëje i ruhen një pjesë e njerëzve të sportit që duan ndryshimin në FSHF ndaj edhe gjatë këtyre ditëve ka pasur mjaft biseda dhe negociatat për të gjetur personin e duhur kundër presidentit aktual Armand Duka. Ky i fundit ka zyrtarizuar kandidaturën për një katërvjkeçar të tretë në krye të federatës duke nisur edhe fushatën e tij zgjedhore. Si fillim ai ka qenë në Kavajë (të enjten) ku ka përuruar fushën stërvitore të Besës dhe dje ka inauguruar një tjetër fushë stërvitore, atë të Dinamos, në kompeksion stërvitor të këtij klubi. Bashkë me të ka qenë edhe zëvendës/sekretari i UEFA-s, Teodoros Teodoridhis.
Takimi
Ndërkohë sot pritet që kandidatët e përfolur Rudi Vata dhe Sulejman Starova, por jo vetëm të takohen për të vendosur pikët mbi i lidhur me kandidimin në zgjedhjet e 9 marsit kundër presidentit aktual. Në fakt një takim mes këtyre të fundit ishte përfolur që ditë më parë por ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, tashmë menaxher i FIFA-s, Rudi Vata ka mbërritur vetëm dje në Shqipëri nga Skocia ku ai jeton prej disa vitesh. Rudi Vata ka qenë kandidati numër 1 i deklaruar publikisht nga vetë ai edhe në mediat që para dy muajsh, ndërsa ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Sulejman Starova, i njohur si kundërshtar tipik i Armando Dukës, nuk ka konfirmuar asnjëherë deri tani kandidimin e tij për kreun e FSHF-së por në të gjitha intervistat dhe emisionet në mediat e shkruara dhe vizive ka shprehur haptazi kundërshtiotë e tija lidhuir me mënyrën e drejtimit të futbollit shqiptar gjatë viteve të “mbretërimit” të Armando Dukës. Asambleja zgjedhore e këtij viti sipas vendimit të marrë nga  Komiteti Ekzekutiv do të zhvillohet në hotel “Adriatik” në Durrës, teksa dy të parat janë zhvilluar në kryeqytet, respektivisht në Pallatin e Kongreseve dhe Hotel “Tirana International”.
Armand Duka
Ka lindur më 7 tetor 1962 në Shijak ku ka kryer edhe studimet e para deri në mbarim të shkollës së mesme. Më pas kryen studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë (dega ekonomist për industrinë) në vitet 1981-1986. Është i martuar, me 2 fëmijë. Pas mbarimit të fakultetit, në vitet 1986-1990 punon në Parkun e Mallrave Burrel dhe nga 1990-1991, në parkun e mallrave Durrës. Në vitin 1991, me hyrjen e vendit në ekonominë e tregut, fillon aktivitetin e tij privat. Në 1993 krijon Kompaninë “AIBA”, kompani e cila merret me prodhimin e ushqimeve për blektori, i pulave për vezë, i ambalazheve, i vezëve, i plehut organik, etj. Në vitet 1995-1997 është sponsor i KF Teuta dhe nga 1997-2002, i FK Erzenit. Në 2002 zgjidhet për herë të parë president i FSHF-së ndaj rivalit e atëhershëm Mehdi Bushati. Ndërsa në vitin 2006 u rizgjodh president në garën ndaj Salvador Kaçajt dhe Edmond Haxhisë.

Rudi Vata
Ka lindur në Shkodër më 13 shkurt 1970. karriera e tij futbollistike nisi te Vllaznia por pas viteve 90-të do varionte nga njëri shtet në tjetrin. Në fillim në Francë pastaj në Britani Greqi, Gjermani e deri në Japoni. Vata ka debutuar në ekipin tonë përfaqësues më 30 mars 1991 në takimin Francë–Shqipëri 5–0 e vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Evropian të 92-it. Periudha më e bukur e karrierës së tij ka qenë kur aktivizohej me kampionët e Skocisë, Sëlltikun e Gllasgout. Ishte futbollisti i parë shqiptar që bëhej pjesë e organikës së një klubi me kaq famë në botë. Më pas vjen kalimi në Greqi te Apollon Limasol ku Vata qëndroi për dy sezone. Nga viti 1998 deri në qershor të 2001 luajti për Energji Kotbus në Gjermani dhe më pas do vinin  me radhë Ahlen, Tirana, Vllaznia, Jokohama dhe në fund St.Johnstone në Britani. Pas lamtumirës futbollit të luajtur ai mori liçencën e menaxherit të FIFA-s, profesion të cilin vazhdon të ushtrojë.
Sulejman Starova
Ka lindur më 12 dhjetor 1955. Karrierën futbollistike e ka nisur te Partizani dhe e ka përfunduar po aty, skuadër me të cilën ka fituar shumë trofe. Aktualisht ai është trajneri i fundit që ka drejtuar “demat e kuq” në fitimin e një titulli kampion atë të vitit 1992-1993. Përveç Partizanit, Drejtor Teknik i të cilit është aktualisht, Sulejamn Starova ka drejtuar edhe skuadrat e Tiranës, Besës së Kavajës e Teutës së Durrrësit duke shënuar gjithnjë ngritje të konsiderueshme të këtyre ekipeve. Në fillim të viteve 2000, nën drejtimin edhe të presidentit aktual Armand Duka ai ka punuar edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit, si Sekretar i Përgjithshëm i saj. Njihet gjerësisht në agjentet sportive si një nga kundërshtarët më të flaktë të mënyrës sesi drejtohet FSHF-ja dhe gjithnjë kundrë idesë së një trajneri të huaj në pankinën e Kombëatres shqiptare. Pritet të jetë kandidat në zgjedhjet e radhës në FSHF.Burimi: Albania-sport.comE Shtune, 13 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›