Hafizi: “Në skuadrat e moshave promovohen ata që paguajnë”

(LEONARD KARAJ) - I qartë dhe i drejtpërdrejtë si gjithmonë. Nëse Kombëtarja shqiptare nuk ka rritje, sipas tij, kjo vjen edhe nga mungesa e futbollistëve të rinj të talentuar. Për Astrit Hafizin ka një diferencë të madhe midis mënyrës sesi punohet aktualisht me ekipet zinxhir dhe asaj të para viteve `90-të. Paraja, interesat e ngushta, por edhe emigrimi, në optikën e teknikut-analist ka bërë që një pjesë e mirë e talenteve të futbollit shqiptar ose nuk dalin fare në pah, ose për arsye nga më të ndryshmet nuk promovohen nga trajnerët, si në klube, ashtu edhe në ekipet kombëtare të moshave. Ish-trajneri i përfaqësueses sjell si shembull Hungarinë dhe Zvicrën, kombëtaret e moshave të të cilave vitet e fundit kanë arritur suksese në arenën botërore. Pikërisht ajo fidanishte, sipas tij, do të jetë një burim i mirë dhe i shëndetshëm për ekipet përfaqësuese të këtyre vendeve pas pak vitesh. Ndërsa në Shqipëri kjo gjë është lënë larg, aq sa kujtojmë ende epokën e artë të Shpresave të fundviteve `70-të dhe fillimit të viteve `80-të.
Nuk keni luajtur me Kombëtaren, por të paktën jeni aktivizuar me Shpresat në ato vite?
Ekipi i Shpresave ishte një skuadër me lojtarë shumë të mirë, që më pas treguan se ishin vërtetë talente, pasi një pjesë e mirë e tyre luajtën edhe në Kombëtare. Unë kam luajtur vetë në atë skuadër mjaft të suksesshme. Shpresat dolën kampionë Ballkani më duket në `78-ën dhe më `82-in dolën në skuadrat më të mira në Evropë. Ndaj duhet thënë se atëherë punohej shumë herë më mirë se tani me talentin e ri. Sot kanë ndryshuar mjaft gjëra. Sot të rinjtë duhet të paguajnë para se të luajnë futboll ose të tregojnë talentin e tyre në fushën e lojës. Atëherë nuk kishte shans që një futbollist i mirë dhe i talentuar “të digjej”. Ndërsa sot lojtarët e mirë nuk është çudi nëse nuk dalin fare në skenë, pasi për interesa të njërit apo tjetrit promovohen ata që paguajnë.
Po thoni se trajneri i Shpresave, Artan Bushati, ose trajnerët e tjerë të ekipeve të moshave marrin para për të promovuar talentet?
Nuk e kam zakon të flas me emra të përveçëm, por fakt është se gjatë kohëve të fundit mund të jenë provuar shumë futbollistë të rinj në ekipet e moshave, por rezultatet na japin të kundërtën. Kjo edhe për shkak se, nëse në kohën tonë që të gjithë të rinjtë i kishe në Shqipëri dhe nuk kishte shans që të mos të binte në sy një lojtar i mirë, sot një pjesë e mirë luajnë jashtë dhe është e vështirë për t’i gjetur.
Dakord, por ka lojtarë të rinj të talentuar edhe në Shqipëri....
Po, sigurisht që ka, por problemi është se këta të rinj e kanë të vështirë që të aktivizohen në skuadrat e para, për arsye se ka edhe shumë lojtarë të huaj, të cilët kanë zënë pikërisht vendet e këtyre të rinjve. Në kohën tonë që të gjithë futbollistët që luanin me Shpresat për shembull ishin absolutisht titullarë në skuadrat e tyre. Ndërsa sot për faktin se presidentët e klubeve duan të fitojnë trofe me çdo kusht, harrojnë promovimin e të rinjve. Po të shikosh, e shumta 2-3 lojtarë të rinj arrijnë të dalin në pah në një sezon, sepse shumica rrinë në stol ose nuk grumbullohen fare me skuadrën e parë.
Në konceptin tuaj, fajtorë janë menaxhimi i ekipeve të moshave apo jo?
Po, dhe personalisht mendoj se po bëjmë hapa të mëdha prapa përsa i përket brezit të ri, pasi nuk punohet fare me ta. Kjo edhe sepse me këto mosha nuk janë trajnerët e duhur që të punojnë. Ata që drejtojnë sot këto skuadra shikojnë shumë se i kujt është ky djali, nga vjen etj, etj. Pra, më parë janë të predispozuar që të njohin baballarët pastaj djemtë. Nuk bënte vaki më parë një gjë e tillë. Vërtet mund të kishte ndërhyrje për djemtë e pushtetarëve, por e sigurt është që një i talentuar nuk kishte shanse që “të digjej” si futbollist. Pastaj, mjafton të shikosh ekipet e moshave për shembull të Tiranës, të cilat deri para disa vitesh gëlonin nga të rinjtë. Ndërsa sot ekipet e tyre kanë më shumë se 5-6 që nuk dalin kampionë në këto kategori. Kjo, pasi nuk punohet aty dhe gjithë interesi rrotullohet rreth skuadrës së parë, aty ku presidentët shikojnë ndonjë fitim të menjëhershëm pa bërë hesapet me të ardhmen e skuadrës së tyre.
Keni pasur ndonjëherë ofertë për të drejtuar për shembull skuadrën U-21?
Jo asnjëherë.
Do ta kishit pranuar?
Sigurisht që po. Nuk ka asgjë të keqe këtu. Unë jam trajner dhe ashtu siç e thatë edhe ju, jam marrë shumë kohë me moshat, ndaj nuk do ta kisha aspak problem një gjë të tillë.
A mos ka ndikuar negativisht fakti se keni qenë trajneri i Kombëtares dhe nuk do ta ulnit veten që të drejtonit Shpresat?
Shpresoj që jo, pasi unë me të rinjtë jam marrë para se të bëhesha trajner i Kombëtares. Por kam përshtypjen se edhe një gjë e tillë mund të jetë. Ndoshta mendohet se unë nuk do të drejtoja ekipet e moshave, pasi kisha drejtuar skuadrën përfaqësuese, por nuk është aspak e vërtetë.
E zëmë se ju do të ishit në vend të Bushatit, a do mendonit të mbanit si objektiv vetëm furnizimin me lojtarë të Kombëtares A?
Shikoni, tipologjia e ngritjes së një skuadre Shpresa në Shqipëri ka qenë vazhdimisht kështu, pra të sjellë sa më shumë lojtarë në ekipin e parë përfaqësues. Por ama, unë nuk besoj se ka trajner që nuk do të pretendonte për më shumë, pra të merrte edhe rezultate. Dhe në momentin kur Kombëtarja A ka nevojë për lojtarë dhe ti nuk ke bërë as këtë, atëherë të paktën të mund të marrësh lojtarë. Mos harroni se Shpresat dolën kampionë në ’78-ën dhe më pas u futën në tetëshen e më të mirave të Evropës, por nga ai ekip shkuan në Kombëtare 8 lojtarë, pra u pa mirë puna e bërë në atë kohë.
Doni të thoni se do të pretendonit qoftë edhe për një pjesëmarrje në Evropian ose Botëror?
Sigurisht që po. Mendoni pak, Hungaria pati dalë e treta në botë para dy vitesh në kampionatin botëror të 20-vjeçarëve, ndërsa ne pretendonim që atë ta linim pas në grup. Nuk e di sesi i bënim llogaritë trajnerët dhe drejtuesit e federatës për ndeshjet ndaj kësaj skuadre. Por ja që ai grup lojtarësh të Hungarisë që para dy vitesh ishin 18, 19 vjeç në kualifikimet e Botërorit të ardhshëm do të jenë nga 23-24 vjeç, të aftë për të ndërtuar një Kombëtare shumë më të mirë. Ose merr rastin e Zvicrës kampione me 17-vjeçarët vitin e kaluar nga ku tre prej tyre ishin shqipfolës. Pra, mendoni se ku do të jenë ata lojtarë pas 5 vitesh. Ndoshta nuk do të jenë të suksesshëm që të gjithë, por të paktën gjysma prej tyre do të jenë pjesë e Kombëtares A. Ndaj në konceptin tim nuk mendohet vetëm se duhen nxjerrë lojtarë për ekipin e parë, por edhe të krijohet një lloj tipologjie fituese tek ai grup futbollistësh të rinj, që më pas do të rriten dhe të jenë të aftë edhe për ekipin përfaqësues. Kështu duhet të mendojmë edhe ne.
Burimi: Albania-sport.comE Shtune, 13 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili