E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa, bojkotojnë Blushi dhe aleatët

Nuk bashkohen as për ditëlindje. 20 vjet pas themelimit, Partia Socialiste vazhdon të mos ketë harmoni brenda saj, ndërsa gjithmonë mbeten prapa të pakënaqur. Deputetët Arta Dade, Blendi Klosi dhe Besnik Baraj kishin marrë dje rolin e “të zotit të shtëpisë” dhe shtrëngonin duart e kujtdo që hynte në sallën e ceremonisë. Ish-kryetari historik Fatos Nano siç edhe ishte paralajmëruar, nuk u bë pjesë e festës, por nuk kishte marrë as një ftesë për të qenë aty. Ajo çka u ka tërhequr vëmendjen të gjithëve ishte mos prezenca e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë, Ben Blushi. I njohur si një ndër zërat më të fortë kritik të Ramës brenda Partisë Socialiste, ai ka zgjedhur të mos jetë në këtë ceremoni. Që prej periudhës së parafushatës, ai nuk është deklaruar në media për atë çka mendon për partinë, opozitën dhe zgjedhjet. Sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami dhe sekretari për programin politik, Andis Harasani, që të dy pjesë e asaj çka u cilësua Lëvizje për Mendimin Ndryshe në PS, gjithashtu e ndoqën përvjetorin nga larg. Deputeti Harasani shkruante në rrjetin social Facebook “Gëzuar ditëlindjen PS. Për socialistët, dhe për të gjithë shqiptarët. Shqipëria ka nevojë për PS dhe për një opozitë të vërtetë sot dhe një pozitë të suksesshme nesër. U bëfsh më e hapur dhe fillofsh të besosh prape te sistemi vlerave!”. Ndryshe kishin vepruar dy anëtarë të tjerë të këtij grupi, ish-ministri i financave, Arben Malaj, dhe deputeti Marko Bello. Ftesat kanë munguar edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe drejtuesit e saj. Ish-kryeministri socialist Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi tanimë kanë vite që nuk ndajnë gëzimin me anëtarët dhe simpatizantët e partisë kryesore të së majtës. Për herë të fundit Meta ka qenë i ftuar në përvjetorin e partisë në prag të zgjedhjeve administrative të vitit 2007, teksa LSI-ja iu rikthye koalicionit të majtë me partinë mëmë. Gjithsesi të pranishëm kanë qenë disa ish-drejtues të LSI-së, mes të cilëve deputetët Sabit Brokaj e Ndre Legisi apo edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Partia Demokratike dhe funksionarët e saj nuk ishin të pranishëm në gëzimin e partisë kryesore të opozitës dhe të njëjtën gjë kanë bërë të gjitha figurat e së djathtës në koalicion me kryeministrin Sali Berisha. Opozitarët duket se kanë preferuar të mos ftojnë as krerë të institucioneve kushtetuese dhe të gëzojnë vetëm me njëri-tjetrin. Mes shumë të ftuarve të pranishëm binte në sy edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku dhe më tutje edhe ish-ministri i Ekonomisë në qeverisjet socialiste, Anastas Angjeli. Ky i fundit i rikthyer tanimë në shumë aktivitete të socialistëve, ndonëse më parë ishte distancuar qartazi prej zhvillimeve në selinë rozë. Një afrim është vënë re edhe nga ana e një tjetër themeluesi, diplomatit Bashkim Zeneli, i cili është përshëndetur me kreun e PS-së, Edi Rama. Pavarësisht mungesës së deputetit Ben Blushi, babai i tij Kiço Blushi ishte prezent që prej nisjes deri në fund të festës së përvjetorit të 20-të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›