E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët tradhtojnë PD-në e Koplikut, rrëzohet buxheti

Këshilltarët socialistë kanë kërkuar që Prokuroria e Shkodrës të nisë hetimin për zbardhjen e menaxhimit të investimeve nga ana e Bashkisë së Koplikut. Ata pretendojnë se kryebashkiaku demokrat ka abuzuar me fonde. 

KOPLIK Rrëzohet buxheti i Bashkisë së Koplikut. Aleancat e çuditshme mes të majtëve dhe të djathtëve kanë bërë që demokratët ta shohin veten humbës. Partia Socialiste është bashkuar në një front me Partinë Republikane, LZHK-në dhe Bashkimin Demokrat, duke votuar kundër miratimit të projekt-buxhetit të Bashkisë së Kolikut, që drejtohet nga Partia Demokratike. Përballë PS-së, PR-së, LZHK-së dhe Bashkimit Demokrat, që kanë qenë kundër buxhetit, kanë qenë PD-ja dhe LSI-ja, të cilët kanë votuar pro buxhetit. Me gjithë aleancën e PD-së dhe LSI-së, buxheti për vitin 2009 nuk është miratuar. Përfaqësuesit demokrat nuk kanë mundur të mos shprehin habinë kur kanë parë votat kundër të aleatëve të tyre tradicionalë. Sipas tyre, votimi kundër i grupit të djathtëve është i pajustifikueshëm.
Partia socialiste e Malësisë së Madhe, prej disa ditësh kishte pohuar votën kundër këtij buxheti. Sipas socialistëve të Koplikut, bashkia e këtij qyteti ka qenë e papërgjegjshme në përgatitjen e buxhetit. Sipas tyre, 55 për qind e buxhetit ishte parashikuar të shpenzohej për administratën për blerje makinash, pajisje zyrash, kompjutera etj. Ndërkohë që shumë pak është parashikuar për investime. Sipas këshilltarëve socialistë, nga 53.6 milionë lekë që është buxheti, vetëm 8.5 milionë lekë janë parashikuar për investime. "Ne nuk mund të votonim pro një buxheti, kur 200 mijë lekë janë parashikuar të jepen për kulturën, ndërsa 2.5 milionë lekë për ekipin e futbollit, Veleçikun, që ka si president kryetarin e bashkisë, Ramadan Likën", -janë shprehur këshilltarët socialistë.
Pas shumë debatesh është hedhur në votim buxheti i vitit 2009. Nga 17 këshilltarë që ka Këshilli Bashkiak i Koplikut, ishin të pranishëm vetëm 13 anëtarë. Shtatë këshilltarë, nga të cilët 5 demokratë, një demokristian dhe një i LSI-së, votuan pro buxhetit. Ndërsa, 6 anëtarët të tjerë, nga të cilët 3 socialistë dhe tre të tjerë nga partitë aleate të PD-së, votuan kundër. Në këtë mënyrë, ka qenë e pa mundur që të kalojë në këtë mbledhje buxheti për vitin 2009 i Bashkisë së Koplikut.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›