E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, policia greke kthen 137 klandestinë

Policia shqiptare ka shtuar kontrollet përgjatë vijës kufitare me Greqinë. Kjo, për të penguar jo vetëm lëvizjen e grupeve të klandestinëve drejt vendit fqinj, por edhe për të parandaluar ngjarjet tragjike. 

KAPSHTICË - Stina e dimrit dhe ditët e ftohta, shoqëruar me temperatura të ulëta, nuk i kanë penguar klandestinët shqiptarë të largohen drejt Greqisë. Pothuajse për çdo ditë, policia greke kap dhe kthen në këtë pikë kufitare me dhjetëra qytetarë shqiptarë që hyjnë ilegalisht nëpërmjet kufirit shtetëror të dy vendeve fqinje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Kapshticës janë kthyer plot 137 persona nga rrethe të ndryshme të vendit tonë, të cilët kishin depërtuar në territorin helen. Burime zyrtare nga policia shqiptare, bëjnë me dije se asnjë nga klandestinët nuk ka bërë denoncim për keqtrajtim nga autoritetet greke. Mësohet se klandestinët shqiptarë janë kapur në qytetet jo shumë larg kufirit me Shqipërinë si në Kostur, Follorinë, Kozan, madje dhe në Selanik. Të gjithë të kthyerit janë marrë në pyetje nga specialistët e policisë kufitare dhe pas dhënies të të gjitha gjenealiteteve, iu janë marrë dhe shenjat e gishtave. Me gjithë masat dhe kontrollet e shumta nga policitë e dy vendeve, fluksi klandestin nuk ka të ndalur. Madje, edhe ditët me reshje dëbore nuk i kanë penguar shqiptarët që të marrin rrugën më këmbë në një terren të thyer malor për të hyrë në shtetin fqinj, në kërkim të një mundësie punësimi, qoftë dhe të përkohshme. Kushtet e këqija eko-nomike, papunësia e madhe si dhe shpresa për një jetë më të mirë, i detyrojnë klandestinët shqiptarë që të rrezikojnë jetën e tyre në tentativë për të ikur në Greqi. Shumë prej tyre janë të "pafat", pasi ata kapen nga policia greke sapo kalojnë kufirin. Vetëm një muaj më parë, 7 klandestinë nga Shkodra, mes të cilëve dhe gra e fëmijë, u bllokuan në dëborë për orë të tëra. Falë ndërhyrjes në kohë të policisë greke, ata i mbijetuan vdekjes.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›