E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleko Hysa do të operohet falas nga mjekët e Selanikut

19/04/2009  Ai u aksidentua dhe mbeti i paralizuar 2 vjet më parë. Ndërmjetësimi nga prefektja Elfrida Zefi

KORÇE- Aleko Hysa 36-vjeçari nga fshati Zëmblak i rrethit Korçë, i mbetur në shtrat i paralizuar që dy vjet më parë nga një aksident rrugor, së fundi do të niset drejt spitalit të Selenikut në Greqi për kurim dhe operim. Mjekët e këtij spitali kanë marrë përsipër operimin e tij, i cili kushton 9 mijë euro, por në të njëjtën kohë kanë dhënë garancinë se Hysa do të kthehet në familjen e vet në gjendje të mirë shëndetësore. Operimi, i cili do të realizohet nga mjekët më të mirë të këtij spitali, do t’i japë fund kalvarit të gjatë të mundimeve në familjen Hysa. Nëse ky operim nuk do të mundësohej, atëherë jeta e 36-vjeçarit do të përfundonte në mënyrën më tragjike, duke lënë pas dy fëmijë të vegjël, Anisën 5 vjeç, Arditin 12 vjeç dhe bashkëshorten e tij, Suelën, pasi jeta e tij kishte nisur të numëronte mbrapsht. Duket se ndihmesa për të shpëtuar jetën e 36-vjeçarit ka mbërritur në kohë. Tashmë pritet që nisja e tij drejt Selanikut të realizohet këto ditë.

Sihariqi

Lajmi i mësipërm se mjekët e Selanikut kishin marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve dhe realizimin e operimit, u dha në familjen Hysa nga prefektja e qarkut Korçë, prof. dr. Elfrida Zefi, e cila është dhe iniciatorja e parë për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje. Fillimisht u hap një numër llogarie (00019478AP), në “Raiffeisen Bank”, ku brenda një harku të shkurtër kohor u mblodh 1/10 e shpenzimeve që kërkoheshin për operimin e 36-vjeçarit, Aleko Hysa, por që në të vërtetë nuk u arrit të sigurohej shuma e kërkuar prej 9 mijë eurosh. Për këtë arsye, prefektja Zefi, e gjendur në këto rrethana, kur jeta e Hysës vështirësohej nga dita në ditë, ndërsa shuma prej 9 mijë eurosh nuk po bëhej e mundur, bëri të mundur ofrimin e shërbimit nga mjekët e Selanikut. Në lidhje me këtë lajm prefektja Zefi bëri të ditur se fillimisht kishte komunikuar me homologët e saj në Selanik, ku këta të fundit e kishin garantuar se do të kërkonin ndihmën e spitalit të këtij qyteti, por njëherazi do të zgjidhnin edhe problemin e shpenzimeve. Kur gjithçka ishte realizuar, nga homologët e Selanikut, lajmi kishte mbërritur edhe te prefektja Zefi, çka do të thoshte se 36-vjeçari Hysa duhej të përgatitej për të ndërmarrë udhëtimin drejt shtetit grek. Familja e Aleko Hysës nuk përmbahej nga gëzimi. Dëshpërimi që kishte zënë vend në sytë e dy të vegjëlve është davaritur dalëngadalë, pasi përveç operimit dhe kurimit mjekët grekë kanë dhënë dhe garancinë se babai i tyre do të kthehet në shtëpi shëndosh e mirë. Familja Hysa prej 2 vitesh përveç vuajtjes nga sëmundja e kryefamiljarit ka jetuar dhe në kushte aspak të lehta ekonomike. Ndërsa ishte vetë Alekoja që mbante familjen me punën që bënte në Greqi, pas aksidentit do u duhej të jetonin me kursimet e pakta dhe me ndihmën nga të afërmit.

Nga burime pranë institucionit të prefektit Korçë, i cili ka ndjekur këtë problem nga fillimi e deri më sot, u bë e ditur se aksidenti rrugor kishte ndodhur 2 vjet më parë, në kohën kur Aleko Hysa, emigrant në Greqi, ishte kthyer në vendlindjen e tij për të parë fëmijët. Aksidenti që kishte pësuar, kishte lënë në jetën e 36-vjeçarit pasoja tepër të vështira për jetën e tij. Ndërkohë, kur familja e tij priste nga dita në ditë të sigurohej shuma prej 9 mijë euro, dhe kur kjo shumë dukej se nuk do të sigurohej kurrë, prefektja Zefi i dha lajmin të dy fëmijët e tij të Anisa dhe Arditi, por edhe të bashkëshortja e tij, Suela Hysa se gjithçka ishte marrë përsipër nga mjekët e Selanikut. Për herë të parë, pas dy vjetësh vuajtjesh, ankthi dhe shprese e ka parë veten më të lumturuar se kurrë ndonjëherë tjetër. Dy fëmijët e tij tashmë do të presin t’u kthehet babai ashtu siç kishte qenë dy vjet para se të ndodhte aksidenti rrugor. Në të vërtetë nuk është hera e parë që shteti grek ofron shërbime të tilla, të cilat janë realizuar me ndërmjetësinë e prefektes Zefi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›