E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Meksi: Dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit i kanë zhdukur

Share

(E PERDITESUAR)- Ish-kryeministri Aleksandër Meksi, ka hedhur akuza të forta mbi zhdukjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, këto dosje janë zhdukur përgjatë viteve 1989-1992.

Kamionët që dilnin nga bodrumet, nga bunkerët e Ministrisë së Brendshme dhe thuhej që ka brumatriçe, nuk është e vërtetë. Janë zhdukur, dhe janë zhdukur pjesa më e madhe e dokumentacionit të dosjeve në kundërshtim me rregulloren për ruajtjen e dokumenteve të arkivit të Ministrisë së Brendshme,  është shprehur Meksi.

Deklarata e Meksit është bërë gjatë një takimi të shoqërisë civile, e cila ka hartuar një projektligj të ri për Pastërtinë e Figurave të Funksionarëve të Lartë të Adminsitratës Publike dhe Deputetëve.

Drafti i ri për lustracionin

Shoqëria civile harton vetë një draft për hapjen e dosjeve te ish-zyrtareve, si reagim për faktin se vetë politika pengon ligjin për pastërtinë e figurave. Për njërin nga hartuesit e këtij drafti, ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, mungon informacioni real i asaj kohe, pasi një pjese e regjistrave janë zhdukur. Por duke e parë të vështirë depërtimin në parlament të projektligjit, Meksi shton se duhet të bëhet lobim me deputetet për ta mbështetur. Por mungesa e vullnetit, sipas pjesëmarrësve, ka bërë që hapja e dosjeve të dështojë.

Sipas Meksit, këtij projektligji mund t’i bëhen ndryshime nga disa prej ligjvënësëve për shkak se atyre nuk do t’u pëlqente, duke lënë të kuptohet se njihte disa prej tyre që më parë kishin qene pjese e rrjetit informativ, si bashkëpunëtorë, drejtues të sigurimit të shtetit, apo edhe politikëbërës të diktaturës.  ”Unë them se do të jetë e vështirë që të kalojë në Parlament.Njerëzit duhet të kenë të drejtën të mund të dinë cfarë ka ndodhur. Tek ne është krijuar një institut me shkencëtarë të emëruar, njëlloj si në kohën e komunizmit”, tha Meksi.
Sipas ish-kryeministrit, edhe ata që kanë hedhur firmë me dhunë, apo që nuk kanë dënuar njëri duhet t’i nënshtrohen lustracionit për shkak se janë lehtësisht të shantazhueshëm.
Në projektligjin prej 31 nenesh parashikohet që pastërtia e figurave për çdo funksionar të kryhet nga periudha 1944 deri në 1991. Hapja e dosjeve duhet të përfshijë të gjithë zyrtaret, që nga presidenti i Republikës, deputetët, gjyqtarët, e deri tek drejtuesit e medias. Për këtë parashikohet ngritja e një autoriteti të përbërë nga 5 anëtarë. Propozimet janë hartuar me ekspertë të fushës, duke marrë dhe eksperiencën gjermane. Por përpara se të depozitohet ne Kuvend, do të lihet hapësirë për rishikime nëse ka propozime të tjera nga shoqëria civile.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›