Krimi trondit Tiranën, vritet arkëtarja e një banke dhe plagoset roja
Një nënë e dy fëmijëve ka vdekur, ndërsa një roje sigurimi ka mbetur i plagosur, gjatë një grabitje që ka ndodhur në një bankë gjatë mesditës së sotme në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në sheshin Shtraus, tek zona e njohur me emrin Xhamlliku.
Sipas burimeve të policisë, një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në filialin e bankës NGB, duke kërkuar të marrë paratë. Arkëtarja, Leonora Kaloçi, e moshës 44 vjeç, ka kundërshtuar të dorëzojë paratë dhe për këtë arsye, grabitësi ka qëlluar në drejtim të saj, duke e plagosur rëndë. Gjatë kësaj kohe ai ka qëlluar dhe në drejtim të rojes së sigurisë, Skënder Elmazi, 53 vjeç.
Si pasojë e të shtënave, arkëtarja ka ndërruar jetë në spital, ndërsa roja është jashtë rrezikut për jetën.
Krimi i rëndë ndodhi vetëm pak orë pasi ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, raportonte në Komisionin e Sigurisë, duke thënë se siguria në vend, është në kushte optimale dhe se krimi është luftuar në masën më të madhe.
Por, siç e tregoi edhe kjo ngjarje, krimi është bërë më i frikshëm se kurrë. Grabitjet e bankave janë bërë të përjavshme dhe punonjësit e tyre, kanë qenë më me shumë fat se arkëtarja e sotme, që nuk janë vrarë. Vrasjet ndërkohë janë bërë të përditshme. Por, pavarësisht situatës së rëndë të krimit, Nishani na përplas në fytyrë ca shifra, duke na thënë se nuk ka krim.