Aleksandër Meksi tregon Pavarësinë
Arkeologu dhe historiani i njohur Aleksandër Meksi po punon në hartimin e një albumi historik rreth Pavarësisë. Në këtë 100 vjetor të Kuvendit të Vlorës, ai tregon për Java detaje, hollësi dhe fakte që lidhen me atë ngjarje. Jam krenar për ata burra që shpallën Pavarësinë, thotë Meksi
Bisedoi: Skënder Minxhozi
JAVA
Z. Meksi, së fundmi keni botuar në shtyp një material në lidhje me Kuvendin e Vlorës, si dhe deklaratën origjinale që doli nga ky kuvend që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Çmund të na thoni më shumë rreth kësaj?
Interesimi im për Kuvendin e Vlorës mund të quhet një interesim normal, si për çdo njeri, meqenëse është 100 vjetori, i cili nuk përsëritet më për ata që janë gjallë sot, sepse akush nuk arrin te 200-ta, le të themi. Por ky interesim kishte dhe një arsye të thjeshtë, praktike, meqenëse unë jam duke punuar me një grup njerëzish për botimin e një albumi që lidhet me 100-vjetorin e Pavarësisë, një album historik. Dhe unë u mora në atë grup me pamjen reale të deklaratës së Pavarësisë, me pjesëmarrësit dhe firmëtarët e atij Kuvendi. Përgjithësisht, njihet ajo deklaratë nga një fotomontazh i bere nga patrioti Lef Nosi, i cili, e pat shpërndarë atë dikur. Ishte kjo deklaratë që qarkullonte më pas. Edhe ne kohë të komunizmit, kjo deklaratë qarkullonte me një vulë që fshihte disa emra patriotësh që nuk duhej të përmendeshin, sepse ishin antikomunistë. Ajo u rizbulua pasi e gjeti dikush dhe e nxorri më pas.
Deklarata e Pavarësisë u firmos më datën 28 Nëntor nga ata që qenë të pranishëm në hapjen e Kuvendit të Vlorës. Kjo del nga shqyrtimi i procesverbaleve të Kuvendit, të cilët ruhen dhe janë botuar, së pari në revistën Përlindja e Shipërisë, në vitin 1914 atë e drejtonte Dhimitër Berati, pjesëmarrës dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, – dhe ribotuar në 1924 nga Lef Nosi, në revistën e tij Dokumente Historike. Pra, ishte një fakt i njohur për këdo që nëpër biblioteka merrej me historinë e Shqipërisë. Përgjithësisht shumica i kanë rënë shkurt këtij problemi. Nuk kanë qenë të vëmendshëm në regjistrimin e emrave dhe evidentimin e tyre, në kërkimin e biografisë dhe faktit të tyre. Sepse ka shumë prej tyre që përfunduan në vitin 44 në burgje, megjithëse qenë patriotë të shquar dhe që sot i nderojnë të gjithë, të tjerë u pushkatuan, të tjerë emigruan ose vdiqën në burgje.
I vetmi që atë listë e jep të plotë, – rreth 77 veta, që quhen delegatë e që iu dihen emrat, – është Bardhosh Gaçe. Me ndonjë pasaktësi të vogël, por që e jep të plotë në botimin e tij të dytë të librit Ata që shpallen Pavaresine. Të tjerët, duke përfshirë edhe Historinë e Shqipërisë, edhe persona të tjerë, japin shifra të gabuara, deri edhe emra të gabuar personash pjesëmarrës. Nga ky kërkim që kam bërë unë në këtë punë, rezulton që, së paku 43 emra kanë qenë të pranishëm, dhe emrat e tyre dihen, në datë 28 Nëntor. Prej tyre, rastësisht, 3 vetë nuk kanë firmosur, – nuk kanë ndenjur deri në fund, ose kanë lëvizur kur janë hedhur firmat. Por, Luigj Gurakuqi, të nesërmen, kur lexon procesverbalin për ta miratuar, thotë që: Kush do të vijë, sot e tutje, – ngaqë filluan të vinin delegatët, – do të firmosë deri ditën e fundit këtë dokument. Në fakt, nuk firmosi njeri tjetër, përveç atyre 40 vetëve ditën e parë. Në vitin 1937, në ekspozitën e 25-vjetorit të Pavarësisë, u ekspozua kjo fletë, që ruhej nga Lef Nosi, me një shënim poshtë, në një kornizë të futur, që 6 firmat e Mustafa Krujës, Ferid Vokopolës, Nehbi Sefës, YmerDeliallisi, Xhemal Deliallisi dhe Zydi Ohrit, janë në anën e prapme. Në montazhin që ka bërë Lef Nosi, këto të 6 firma, ashtu siç kanë qenë në faqen e prapme, janë fotografuar dhe janë vënë bashkëngjitur firmave të tjera, për të krijuar një imazh të plotë. Unë mendova se, për të qenë realë, për ta përdorur këtë dokument në mënyrë dinjitoze, duhet që ky të ketë pamjen që ka pasur dikur. Pra, ktheva anën e prapme të fletës, që ruhet në fotografi, – dhe do falënderuar fototeka kombëtare Marubi që na e vuri në dispozicion këtë fotografi, – morëm nga fotografia që ka bërë Lef Nosi të 6 firmat dhe i vendosëm në pjesën e sipërme të faqes së prapme. Pra, të dyja këto bashkë bëjnë Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk është korrekte, për mendimin tim, që kjo të paraqitet siç është paraqitur deri më sot.
Kur do ti shohim rezultatet e këtij projekti për të cilin ju po punoni?
Besoj brenda fillimit të vjeshtës, në mënyrë që mund të përdoret nga të gjithë të interesuarit dhe të huajt, që të dinë se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe të mund ta njohin. Është interesante, kur lexon këto procesverbale, korrektesa me të cilën këta njerëz, shumica të shkolluar në universitete, veprojnë, sesi i japin rëndësi anës procedurale të zgjedhjes së qeverisë, të zgjedhjes së Pleqësisë në formë senati, të përsëritjes së votave, të këmbënguljes për të votuar në një mënyrë apo një tjetër. Pra ka një seriozitet në çdo procesverbal, thuhet sa veta mungojnë dhe kush janë ata që mungojnë. Sigurisht, në një mbledhje të tillë, me një organizim të përshpejtuar, mund të ketë dhe pasaktësira. Unë do të përmendja një që, kur jepen delegatët që kanë ardhur, mungojnë të jepen dy emra, por që jepen si mungues ose për ta votohet, që janë Riza Bej Gjakova dhe Zenel Bej Begolli, të cilët jepen në vota, por nuk jepen si të ardhur. Është për të ardhur keq që studiuesit e derisotshëm nuk kanë bërë studim të plotë të të gjithë emrave që ndodhen në këto procesverbale. Për shembull, neve na mungojnë dhe themi se kemi gjetur të dhëna për dy prej tyre, janë dy delegatë, të cilët, së bashku me Ahmet Zogun, erdhën nga Tepelena dhe zbritën në Vlorë, sepse rruga Berat-Lushnje ishte bllokuar nga ushtritë serbe, që janë Kurt Ag Kadiu dhe Riza Beg Çela. Po kështu, nuk kemi mundur të gjejmë gjë për Dervish Bej Ipeku( Peja), i cili vjen bashkë me Isa Boletinin dhe Mehmet Dëhallën ditën e dytë të Kuvendit.
Në shumë dokumente e kujtime thuhet që kanë qenë në sallë 47 delegatë. Ka shumë të ngjarë që të kenë qenë ata delegatë të cilët akoma nuk kishin marrë mandat. Sepse, në momentin që ti skishe mandat, dhe mandati merrej nga Parësia e territorit që të dërgonte, qoftë me telegram a me të shkruara, nuk pranoheshe si delegat. Ka një incident të vogël, le të themi, kur Jahja Ballhysa thotë që të më zëvendësojë filani, dhe i përgjigjen që ne nuk e pranojmë këtë kërkesë tënden, sepse nuk je ti ai që cakton zëvendësuesin, por janë ata që të kanë caktuar ty, që e bëjnë këtë. Dhe, dëshmi të kësaj natyre janë një numër i jashtëzako