Presidenca: Arvizu vlerësoi personalitetin dhe integritetin e Nishanit
Presidenca ka zbardhur takimin e sotëm të presidentit Bujar Nishani me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Sipas njoftimit të publikuar në faqen e Presidencës, Zoti Arvizu shprehu vlerësimin e tij për zgjedhjen e Presidentit Nishani në krye të shtetit dhe vlerësoi qasjen e Presidentit në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ambasadori amerikan garantoi gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Nishani dhe veçanërisht në përpjekjet e Tij për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ambasadori Arvizu shprehu bindjen se Presidenti Nishani ka personalitetin dhe integritetin e duhur për të garantuar bashkëpunimin harmonik ndërinstitucional bazuar në pavarësinë dhe respektin e ndërsjelltë ndërmjet institucioneve.
Ambasadori amerikan ndërkohë, refuzoi që të komentonte takimin, pas daljes nga Presidenca. Mendohet që në takim të jetë folur edhe për ndryshimin e kreut të SHISH, për të cilin SHBA është shprehur shumë e shqetësuar jozyrtarisht.
Gjatë takimit u nënvizuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimi i gjatë dhe efiçent në të gjitha fushat. Presidenti Nishani theksoi faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve si dhe e falenderoi Ambasadorin amerikan për të gjithë angazhimin dhe bashkëpunimin që kanë ofruar SHBA-të në zhvillimet e gjithanshme në Shqipëri.
Presidenti i Republikës e garantoi Ambasadorin Arvizu për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve si dhe për kontributin e Tij në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Presidenti Nishani, në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Arvizu vuri në dukje se ndër prioritetet e presidencës së Tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve tek sistemi i drejtësisë. Kreu i Shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë, vijon më tej njoftimi i Presidencës për takimin Nishani-Arvizu.