Alfred Bualoti: “Magjia e transformimit, maja e artit të aktrimit”
Izaura Ndoj
Pasioni për artin dhe teatrin kanë bërë që Alfredi të jetë një aktor dhe menaxher i njohur i Teatrit Kombëtar që në vitet ‘70-‘80. Ai e nisi rrugën drejt artit që në moshë të re, pasi kishte një besim në vetvete se do të arrinte të bëhej një mjeshtër në fushën e aktrimit. Alfred Bualoti është një prej aktorëve dhe regjisorëve më të talentuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare, i cili ka një pafundësi personazhesh në galerinë e tij. Ai tashmë është bërë një prej emrave më të suksesshëm, i cili, për atë që ka sjellë me interpretimin e tij, ka marrë vlerësimin e publikut dhe të mjeshtërve të skenës. Është ideatori i parë dhe drejtues i festivalit ndërkombëtar të teatrit në Shqipëri, “Butrinti 2000”. Sipas tij, magjia e transformimit është maja, mrekullia e artit të aktrimit. Të mungojë magjia e transformimit do të thotë të mungojë ajo për të cilën ato kanë dhënë jetë. “S’ka gjë më kulmore për një artist kur magjia e transformimit e shoqëron nga një rol në tjetrin”, - thotë ai. Përsa i takon kinematografisë shqiptare në ditët e sotme, ai tha se kinemaja është një industri shumë e madhe, e cila në thelb ka mesazhet e mëdha njerëzore, por në fund të fundit, kinemaja shqiptare, ashtu si teatri, erdhi nga një traditë. “Ne nuk kemi të bëjmë sot me një kinema që nuk kishte asnjë lloj shtrati. Qoftë teatri, qoftë kinemaja, pothuajse patën afërsisht të njëjtën moshë dhe eksperiencë në prodhimin e tyre”. Momentalisht ai po punon për dy projekte që shpreson së shpejti t’i shfaqen publikut.
Pse keni zgjedhur pikërisht aktrimin, dhe jo ndonjë profesion tjetër?
Kjo është një histori që vjen këtu edhe 40 vite më përpara. Kur isha djalosh i ri, mund të them se isha fatlum që bija në kontakt me teatrin dhe sidomos me teatrin amator në përgjithësi. Teatri amator ishte i zhvilluar në atë kohë në qendrat e punës, në qendrat e mëdha, në studiot e teatrit kombëtar, ku ishte dhe shkolla për të cilën ne do të flasim. Kishte dhe mundësi të tjera për të qenë aktiv nëse ti do të ishe i aftë dhe dëshiroje të hyje në rrugën e aktrimit. Në këtë gamë të mundësive unë kam rënë në kontakt me studion e teatrit kombëtar në vitet ‘68-‘70 dhe më pranuan me entuziazëm. Në atë kohë nuk e kuptoja se çfarë mund të bëja dhe çfarë jo, por kisha një besim në vete sepse duke parë qoftë të rinjtë e asaj periudhe në teatër, qoftë edhe yjet që për ne ishin ata që çdo gjë i krahasonim me të. Madje edhe jetën tonë e krahasonim me figurat e tyre, duke i bërë shembull të jetës tonë. Në këtë drejtim e filluam në studion e Teatrit Kombëtar, ku pedagogët tanë, sigurisht që ishin figurat më të shquara, duke filluar nga Kadri Roshi, Sandër Prosi etj. Ka qenë vetëm një dyvjetësh që u gjallërua kjo studio dhe pastaj nuk pati më jetë sepse Akademia bënte plotësimet e veta, kështu që për mua kjo studio ka qenë fillimi dhe hapat e parë me trupën profesioniste të Teatrit Kombëtar të asaj kohe. Aktrimi ka qenë një dëshirë e brendshme dhe nuk mund të them se ishte një rastësi, pasi unë e ndieja se do të bëja diçka, do të reagoja pozitivisht në rrethana të ndryshme që janë elemente të mjeshtërisë së aktorit. Në atë periudhë ndërtuam diçka, bëmë disa role të vogla në teatër. Kjo ishte një gjë e mrekullueshme që kisha pranë kineastët, regjisorët më të mirë të Teatrit Kombëtar, ishte një gjë e jashtëzakonshme dhe ky ishte fillimi i aktrimit për mua.
Çfarë ju ka mbetur më shumë në kujtesë nga puna juaj gjatë këtyre 40 viteve si aktor?
Ju keni të drejtë për pyetjen që bëni, por unë nuk di nga t’ia filloj dhe ku të mbaroj, se është një proces që nuk ka mbaruar. Evenimentet kanë qenë të shumta, por unë them që ky është një proces që nuk ka përfunduar. Dhe kur nuk ka përfunduar, sigurisht që nuk ka përcaktime të mirëfillta, por mund të them që në kujtesë më kanë mbetur emocione shumë të rralla. Unë kam bërë prezentatorin në premierën e shfaqjes “Arturo Ui”, i cili ishte një spektakël shumë i madh. Unë kam qenë shumë i ri dhe të prezantoja Mimon apo Pjetër Gjokën, Ndrek Lucën, të cilët ishin personazhet e veprës, dhe të thosha dhe mesazhin e veprës ishte një gjë me shumë emocion. Edhe vetë, kur i kujtoj, e ndiej se kanë qenë emocione shumë të mëdha, por ndonjëherë emocionet në teatër kanë masën e duhur, të cilat mund të të mbysin ndonjë moment të caktuar. Por pa emocione do të thotë që duhet ta rishikosh veten përsa i takon mjeshtërisë së aktrimit. Ka mbetur në kujtesën time prezentatori, se me atë ndofta ka qenë edhe hapi i parë i mirë në Teatrin Kombëtar. Një nga rolet emocionalë ka qenë “Rënia dhe shkurtimi i shokut Zylo”, i cili ka qenë një krijim që ma kanë vlerësuar. Ishte brenda karakterit, ishte brenda zhanrit komik të tij dhe ishte një personazh që tingëlloi shumë mirë. Ky ka qenë edhe një moment i frytit të kujtesës në Teatrin Kombëtar.
Si e shikoni zhvillimin e kinemasë sot në Shqipëri?
Sigurisht që kur flasim për kinemanë nuk është kollaj që të bëjmë analiza apo të themi gjëra që janë thënë dhe stërthënë, pasi kemi të bëjmë me një industri shumë të madhe, e cila në thelb ka mesazhet e mëdha njerëzore, por në fund të fundit kinemaja shqiptare, ashtu si teatri, erdhi nga një traditë. Nuk kemi të bëjmë sot me një kinema që nuk kishte asnjë lloj shtrati, qoftë teatri, qoftë kinemaja pothuajse patën afërsisht të njëjtën moshë dhe eksperiencë në prodhimin e tyre. U nënvizuan edhe në periudhën e shkuar dhe po vazhdon të nënvizojë aktor të mirë, regjisor të mirë, kineastë të mirë, drejtorë fotografish të mirë, pra në këtë shtrat vijnë nga një traditë e mirë artistike. Është bërë punë pasionante qoftë në teatër, qoftë në kinema. Kinemaja sot mundësitë i ka shumë të mëdha, por në të njëjtën kohë i ka dhe shumë të vogla. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që për nga pikëpamja e buxhetit, sot është shumë vështirë. Sot duhet të kesh një buxhet për të bërë gjërat të cilat i kërkon koha për të qenë koherent. Në krahasim me ato vite, kinemaja sot nuk është e përcaktuar se çfarë duhet të bëjë apo jo. Në një farë mënyre sistemi atëherë ishte i kamufluar brenda një rrethi të caktuar. Unë mendoj se duke thënë se mundësitë sot në teatër apo në film janë shumë të mëdha, do të thotë që jo vetëm nga pikëpamja dramaturgjike je i çliruar, por nga çdo gjë. Sot kontaktet me kinemanë europiane dhe amerikane japin një mundësi shumë të mirë, pasi shkëmbehen eksperiencat; ka dhe bashkëpunime me mjeshtrit e kinemasë. Një nga këto për mua ishte Paskalejeviç, një mjeshtër i kinemasë që ishte në TIFF dhe dora e mjeshtërit ndihej kudo. Shkëmbimi i eksperiencave është ajo që i ka munguar kineastit shqiptar prej shumë vitesh, prandaj artisti shqiptar duhet ta çojë atë përpara për të bërë më të mirën e mundshme.
Keni nostalgji për kinemanë e viteve ‘70-‘80?
Unë nuk shikoj filma pothuajse fare, por kur shikoj ndonjë gjë, e shikoj nga vështrimi nostalgjik, më kujtohet ndonjë skenë, pra në fund të fundit ishin emocione, kishte momente dramatike dhe me mjaft humor. Për një moment ishte jeta jonë, qoftë në film, qoftë në teatër. Unë e kam jetën më të gjatë në teatër, por paralelisht ka qenë edhe filmi pranë meje. Ishim shumë pranë dy specifikave që kam shumë për të thënë. Po të rikthehej ajo periudhë, me 12 apo 13 filma, do të ishte një mrekulli, pasi sot bëhen shumë pak filma dhe arsyet tashmë dihen. Sot duhet të ketë sa më shumë bashkëpunime, sa më shumë shkëmbim eksperiencash dhe kulturash, por sigurisht, pa hequr dorë nga karakteri i filmit shqiptar. Filmi shqiptar nuk duhet të humbë nga karakteri i tij, pasi në fund të fundit filmi duhet të burojë nga shpirti nuklear i tij.
Cila është gama e roleve tuaja?
Rolet kanë qenë të shumta, nuk i mbaj mend me numra, sepse nuk jam natyrë e numrave, por kur them të shumta, kanë qenë të shumta. Që nga roli, një djalosh i dashuruar, një inxhinier, një komandant ushtrie etj. Të ishe një aktor duhet të hyje në lëkurën e personazhit, të bëje transformimin, të bëje një lloj pune krijuese për të arritur brenda karakterit të figurës dhe për të dhënë një gjë krejt të besueshme dhe ekspresive.
Sipas teje, kur e shikon veten në majë një artist?
Unë do të përmend një gjë shumë interesante që ka të bëjë me magjinë e transformimit që ka filluar të humbas qoftë në teatër, qoftë në kinema. Ka element, por ka filluar të humbasë. Magjia e transformimit është maja, mrekullia e artit të aktrimit. Personazhe artistësh me emër nga një rol te tjetri kanë vetëm kostumin dhe nuk përpiqen të hyjnë në atë që quhet magjia e transformimit. Nuk e thashë unë, por këtë magji e kam ndjerë dhe përjetuar. Këtë e ka thënë shumë bukur në Selanik Elvis Hermani: “Një gjë dua të konstatoj, që ka filluar të mungojë maja jonë, duhet të ndryshojë medoemos, sepse pastaj do të jemi të zakonshëm, por nuk do të jemi ata që duhet, na mungon magjia e transformimit”. Të mungojë magjia e transformimit do të thotë të të mungojë ajo për të cilën ne kemi dhënë jetë. S’ka gjë më kulmore për një artist kur magjia e transformimit e shoqëron nga një rol në tjetrin.
Si e shikojmë Alfredin mes filmit dhe teatrit?
Këtu nuk ka gjë të ndarë, teatri, sigurisht, ka specifikën e vet dhe filmi specifikën e vet. Unë, sigurisht, jam pranë teatrit pasi e kam filluar me aktrimin, e kam vazhduar me aktrimin dhe ka ca vite që jam përkushtuar regjisurës. E ndieja se do isha më pranë për të ecur një shkallë më tutje që për mua do të ishte më frutdhënëse përsa i takon vetes time dhe ekipit me të cilin do të punoja. Që nga “Pallati 176” unë kam qenë regjisori i veprës, por nuk do të thotë që nuk do të aktroja në teatër, por që kisha këtë lloj pasioni në drejtim të vënies në skenë apo të regjisurës. Kështu që ndërmjet teatrit dhe kinemasë nuk shikoj ndonjë gjë të ndarë, por në fund të fundit specifika është krejt tjetër. Kam provuar të bëj edhe ndonjë komedi, siç ishte “Tifozët”. Edhe pse shkoi mirë, nuk ishte ai drejtimi im, nuk ishte ajo për të cilën kam investuar gjithë këto vite. Nuk shikoj ndonjë gjë të ndarë me thikë në kuptimin e specifikës, por, ama, janë dy gjëra të ndryshme që nuk duhen ngatërruar.
Çfarë është familja për Alfredin?
Për mua familja është gjithçka. Ashtu siç nuk e kuptoja kur ishte i mundur formimi i saj. Në qoftë se e ndiej veten pranë familjes me gjithçka, reagoj drejt në teatër apo mendoj dhe për teatër, apo për kinemanë, apo për artin në tërësi. Kur them kështu, familja e vërtetë, në kuptimin e mirë të fjalës, me halle dhe shqetësime, prapë mbetet gjithçka.
Kush janë çastet e mërzitjes për ju?
Çastet e mërzitjes sigurisht nuk janë të pakta, por më të shumtat janë ato të pamundësisë për të thënë diçka. Koha ikën shpejt dhe kur ajo ikën bosh unë e ndiej shumë. I kthehem leximit, sepse për mua leximi është gjëja më e dashur, ndërsa televizion shikoj shumë pak, për të mos thënë që filma nuk shikoj fare. Në këtë drejtim do të thosha që momentet e mërzitjes për mua janë kur koha ikën bosh.
Kush është periudha më e bukur dhe më e vështirë gjatë karrierës tuaj?
Sigurisht ka pasur periudha dhe ka periudha të bukura dhe të vështira. Periudha më e bukur dhe më e vështira për mua ka qenë roli i Vlashit. Ka qenë një periudhë e bukur dhe e vështirë sepse filmi ishte ndryshe nga filmat e tjerë, pra ishte natyra, kafsha (kali), fshatari që e donte shumë natyrën. Vështirësi e madhe për mua atëherë ka qenë që të miqësohesha me kalin. Duhet të isha i dobët, nuk haja dhe më rrinin mbi kokë, ndërsa të tjerët hanin nga 6 pjata. Ishte një periudhë e lodhshme, një periudhë shqetësuese, por në fund të fundit ishin edhe ditë të bukura.
Veç pasionit të aktrimit keni ndonjë pasion apo hob tjetër?
Për mua peshkimi është një hob që shpeshherë më bën të jem i qetë. Divjaka për mua ka qenë një qetësi më vete edhe për faktin që kam kujtime të mëdha me Kadri Roshin, për vite të tëra. Shumë vite bashkë në peshkim, dhe sigurisht edhe në teatër. Kam pasur fatin të isha regjisor edhe në një vepër që luajti për herë të fundit Kadriu, e cila titullohej “Koha e çmendur” dhe u shfaq shumë pak në Teatrin Kombëtar.
Keni ndonjë projekt në duar momentalisht?
Kam dy projekte; një e kam dorëzuar në Teatrin Kombëtar, e cila është një komedi e një autori të shquar të komedisë rumune, siç është Aleksandër Kriçesku, dhe është vepra e fundit që ka përkthyer posaçërisht për mua Jonis Gunbardhi. Ai ishte përkthyesi më i mirë i veprës nga rumanishtja. Ndërsa kam edhe një projekt tjetër, ose më mirë një dramatizim i imi që e kam çuar në Korsika të Francës, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, për ta vënë në skenë në Bastia, në një nga qytetet e Korsikës. Vepra “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është bërë një vepër universale.
Si e shikojmë Alfredin në një të ardhme?
Vazhdimisht do të operoj në këtë drejtim, post organizimit të festivalit të Butrintit dhe në momente të caktuara do të shikoj se çfarë mund të luaj në skenë, sepse ajo ka kënaqësinë dhe të veçantën e vet. Sigurisht që marrëdhëniet e mia me regjinë nuk do të reshtin asnjëherë.
12 Dhjetor 2009