E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike prek industrinë informale të seksit



TIRANË – Kriza që ka prekur ekonominë e vendit ka ulur ndjeshëm industrinë informale të seksit. Vajza dhe gra shesin trupin e tyre për 1000 lekë. Të dhënat e një qendre bëjnë të ditur se femrat janë të detyruara që ta shesin trupin e tyre me çfarëdolloj çmimi, në mënyrë që të sigurojnë jetesën. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga komunikatat e Policisë së Shtetit, ku në jo pak raste janë zbuluar motele apo qendra, të cilat kryejnë funksionin e shtëpive publike. Ngjarja më e fundit u regjistrua dje, ku policia e kryeqytetit ndaloi një pronar hoteli dhe një prostitutë. Efektet e krizës i kanë ndjerë edhe ato vende në të cilat shtëpitë e seksit janë legale.
Industria informale
Në një studim të kryer nga një organizatë e huaj bëhet e ditur se kriza ekonomike po ndikon në rritjen e numrit të punonjëseve të seksit, të cilat, në këmbim të epsheve, përfitojnë para për të siguruar mbijetesën. Ky është një fenomen që po vihet re gjithnjë e më shumë në vendin tonë. Numri i lartë i ndalimeve nga ana e policisë të femrave që dalin në rrugë e tregon më së miri një gjë të tillë. Pak kohë më parë, policia e kryeqytetit bëri një operacion në të gjitha motelet dhe hotelet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Sikur të mos mjaftonte konkurrenca, edhe efektet e krizës financiare janë bërë shkas që të ulen ndjeshëm fitimet e tutorëve.
Shumë vajza dhe gra janë bërë viktima të trafikimit në qytetet e mëdha si Tiranë, Durrës etj. Ato janë përballur me kushtet e vështira ekonomike ku nuk kanë gjetur rrugë tjetër më të lehtë veçse të shesin trupin për të mbijetuar. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga zona rurale dhe gjendja ekonomike e tyre është e vështirë. Të dhënat e studimeve të organizatave joqeveritare theksojnë se pjesa më e madhe e femrave që prostituojnë janë përgjithësisht vajzat që kanë vetëm njërin prind, studentet, gratë e divorcuara dhe të papunat. Një pjesë e tyre jetojnë bashkë me fëmijët. Fatkeqësia e këtij realiteti qëndron në faktin se vetë të afërmit i nxisin këto viktima të prostituojnë. Tashmë kësaj rruge i janë futur edhe femrat e arsimuara.
Zonat e seksit
Të dhënat e policisë, por edhe vëzhgimet e OJF-ve, kanë përcaktuar edhe hartën e zonave të seksit. Blloku, zona te Stacioni i Trenit, apo zona në qendër të Tiranës, pranë Pallatit të Kulturës, janë disa prej pikave ku femrat tregtojnë trupin e tyre.
Ndërsa motelet dhe hotelet e ndërtuara në periferi të kryeqytetit, në mungesë të klientelës, kanë modifikuar aktivitetin e tyre, duke u kthyer në shtëpi publike. Përhapja e aktiviteteve të tilla të paligjshme ka shqetësuar edhe policinë, e cila gjatë këtyre muajve ka bërë disa operacione në zonat përreth Tiranës. Madje, pak kohë më parë doli edhe një rregullore për të gjitha objektet hotelerie, ku pronarëve u kërkohej që për të gjithë klientët të kërkohej dokument identifikimi.

Rasti
Ndalohet pronari i hotelit dhe prostituta
Ky fenomen haset çdo ditë. Rasti më i fundit ndodhi dje, ku u prangosën dy shtetas; një grua që ushtronte profesionin e prostitutës për 10 mijë lekë të vjetër dhe tutori i saj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se, në kudër të operacionit “Shtëpia e vjetër”, janë ndaluar këta persona, ku tutori ishte një pronar hoteli. Sipas burimeve policore, aksioni u bë në rrugën “Emin Harizi” në Tiranë, në ambientet e një lokali. “40-vjeçarja, V. K., lindur në Burrel dhe banore në Shkozë të Tiranës, është kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion, veprimtari të cilën dyshohet se e ka ushtruar për një periudhë disamujore”, - thotë policia. Sipas saj, 40-vjeçarja u ndalua teksa kryente marrëdhënie seksuale kundrejt shumës së parave prej 10 mijë lekësh të vjetër me një klient që, pasi u mor në pyetje, u la i lirë. Policia arrestoi edhe pronarin e lokalit, H. Lamajn, 48 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Agjentët e antitrafikëve kishin siguruar informacione në rrugë operative për aktivitetin që ushtronte gruaja, ndaj nisën menjëherë hetimet për të verifikuar informacionet. Ky shtetas akuzohet për veprën penale të “mbajtjes së lokaleve për prostitucion”.

Disa nga zonat që frekuentojnë punonjëset e seksit:

Zona prapa Pallatit të Kulturës
Zona te Hotel Tirana Interational
Zona te Stacioni i Trenit
Zona te "21 Dhjetori"
Lulishtja te Kulla e Sahatit
Liqeni Artificial
Motelet në periferi të Tiranës

Kapet në flagrancë grabitësi, tentoi të vidhte banesën e 79-vjeçarit

ELBASAN - Një 25-vjeçar është kapur në flagrancë teksa po vidhte shtëpinë e 79-vjeçarit me inicialet M. Z. Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Erzen Bajrami, lindur e banues në qytetin e Elbasanit, është arrestuar ditën djeshme pasi kishte tentuar të grabiste banesën e një të moshuari në këtë qytet. Ky shtetas ka qenë i dënuar dhe më parë për veprën penale “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Burimet policore konfirmojnë se ai është kapur në flagrancë nga vetë pronari i banesës, në njërën nga dhomat e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “vjedhje e mbetur në tentativë”.

Përplaset nga autobusi, vdes 70-vjeçari

FIER - Një aksident automobilistik i ndodhur në qytetin e Fierit i ka marrë jetën një të moshuari. Sipas burimeve policore, në momentin e ngjarjes, 70-vjeçari Zahir Trakalaci u përplas nga një autobus teksa udhëtonte me një motor. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kur motori me të cilin po udhëtonte i moshuari i doli para autobusit. Viktima nuk është transportuar dot në spital, pasi ka gjetur vdekjen në vendngjarje. Burime pranë Policisë Rrugore bëjnë të ditur se aksidenti ndodhi pranë fshatit Pojan.

Pranga shqiptarit në Itali, shpërndante kokainë

ITALI - Agjentët e Guardia di Finanzza në qytetin e Peruxhias në Itali kanë arrestuar një shtetas shqiptar që po transportonte një sasi lënde narkotike. Lajmi publikohet nga mediat italiane, sipas të cilave, 24-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestuar ditën e djeshme në Parma, pasi atij iu gjet një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike. Nga kontrolli që iu bë makinës së këtij personi u sekuestrua në cilësinë e provës 2 kilogramë e 718 gramë drogë e tipit kokainë. Ndërsa nga kontrolli i banesës së tij në Parma u gjet 218 gramë kokainë. 24-vjeçari momentalisht ndodhet në burgun e Parmës. Sipas burimeve, korrieri ishte nisur nga rajoni i Emilia Romanjes dhe agjentët po hetojnë për të zbuluar destinacionin e tij.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›