Alfred Peza: Asnjë votë për aleatët. Ja 10 faktorët që mund të dëmtojnë opozitën
Kandidati i Partisë Socialiste në Peqin, Alfred Peza, që ka ndërtuar një faqe simpatike në Facebook, në ditarin e tij shkruan se votuesit kësaj here duhet të japin votën vetëm për PS-në dhe jo për aleatët.
Në këto kushte duhet të jetë e qartë për të gjithë votuesit socialistë në gjithë vendin, në qarkun e Elbasanit dhe në rrethin e Peqinit se: Këto zgjedhje janë parlamentare dhe jo lokale, ku zgjidhen këshilltarë partish për këshillat komunalë. Që do të thotë se në këto zgjedhje nuk do të ketë asnjë kompromis për votën. Me asnjë kandidat, me asnjë parti politike, pavarësisht nëse ato janë ose jo, pjesë e koalicionit tonë. Ndaj, ai që është socialist, opozitar dhe kërkon largimin me votë të Sali Berishës, NUK duhet ti japë asnjë votë, për asnjë arsye, kandidatëve të partive të tjera. Pra, çdo votë e atyre që kërkojnë rrotacionin, duhet të shkojë VETEM për kandidatët e PS, shkruan Peza.
Ndërkohë në një tjetër postim, gazetari i njohur sqaron edhe 10 faktorët që sipas tij mund të dëmtojnë opozitën në arritjen e një fitoreje të padiskutueshme.
1- Mendimi se pas 8 vjetësh në qeveri, Sali Berisha mund të ikë vetë dhe të mundet lehtë.
2- Shkrehja e punës nga kandidatët për deputetë të PS, pas aleancës me LSI, duke menduar pas kësaj më shumë për ndarjen e posteve qeveritare, sesa për fitoren e zgjedhjeve.
3- Nënvlerësimi i pakënaqësisë së ish- deputetëve të PS Kastriot Islami, Xhovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani, të përfshirë në listat e sigurta të PD.
4- Nënvlerësimi i ndikimit të peshës elektorale të Agron Dukës pas kandidimit me PR në Durrës.
5- Nënvlerësimi i rolit dhe peshës së kandidatëve të pavarur Arben Malaj në Vlorë dhe Dritan Prifti në Fier.
6- Nënvlerësimi i dëmit që mund të shkaktojnë deputetët aktualë që nuk kandidojnë sërish për një mandat tjetër.
7- Nënvlerësimi i të gjithë aktorëve që u refuzuan të kandidoheshin në listat e kandidatëve të PS.
8- Mbivlerësimi i rolit dhe peshës reale të Fatos Nanos në elektoratin e majte.
9- Mbivlerësimi i fushatës në internet, televizione e gazeta, në raport me punën derë më derë dhe votë për votë, në të gjithë Shqipërinë.
10- Nënvlerësimi i rolit të emigrantëve për rezultatin final të këtyre zgjedhjeve./ep