Algjeria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe

Algjeria ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), pas asaj që e përshkroi si një seri veprimesh “provokuese dhe armiqësore” nga ana e Abu Dabit, përpjekje që vazhduan pavarësisht “vërejtjeve të përsëritura”.
Ministria e Jashtme e Algjerisë deklaroi të enjten se veprimet e Emirateve kishin arritur në një pikë ku nuk mund të konsideroheshin më të pranueshme dhe se vendi kishte “shteruar të gjitha mjetet për ruajtjen e marrëdhënieve dypalëshe”. Ambasadori i Emirateve u thirr në ministri, ku u informua për vendimin dhe iu dhanë 48 orë kohë për t’u larguar. Nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur viteve të fundit për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi disa çështje rajonale pasi Algjeria kundërshton normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maroku (rivali rajonal i Algjerisë) vendosën lidhje diplomatike me Izraelin në vitin 2020 përmes “Marrëveshjeve të Abrahamit”.
Gjithashtu, Abu Dabi mbështet sovranitetin e Marokut mbi këtë territor, ku ka hapur edhe një konsullatë, ndërsa Algjeria mbështet Frontin Polisario, i cili kërkon pavarësinë e rajonit.
Ndërkaq, interesat e të dyja vendeve janë përplasur gjithashtu në rajonin e Sahelit, ku Emiratet kanë zgjeruar lidhjet me disa qeveri, ndërkohë që marrëdhëniet e Algjerisë me fqinjët jugorë janë përkeqësuar pas disa grushteve të shtetit ushtarak.
Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, ka referuar shpesh Emiratet e Bashkuara Arabe si një “mikro-shtet” që kërkon të destabilizojë disa vende të rajonit. Në një intervistë televizive në korrik, ai u shpreh se EBA ka pasur një “ndikim shumë negativ” dhe se ndërprerja diplomatike “do të kishte ndodhur që me kohë” nëse Algjeria nuk do të përpiqej të shmangte thellimin e përçarjeve në botën arabe.
/rtsh.al/