E Diel, 1 Nëntor 2026

Ali Ahmeti uron Metën për zgjedhjen në krye të Kuvendit

TIRANË- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, uroi sot Kryetarin e ri të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, për zgjedhjen e tij në drejtimin e parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Përmes një njoftimi për mediat, zyra e shtypit pranë LSI njofton se në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe në emrin e tij personal, Ahmeti shprehu urimet më të përzemërta për zgjedhjen e kreut të LSI-së si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Zhvillimi i një procesi shembullor i zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, si dhe fillimi i punës së përbërjes së re të Kuvendit, me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha partive parlamentare, dëshmon që Shqipëria është e gatëshme që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që në samitin e dhjetorit të këtij viti. Jam i bindur që ju, me urtësinë dhe përvojën tuaj të gjatë politike, do të arrini të harmonizoni të gjitha forcat politike në Kuvend për ta arritur këtë synim të madh të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet në mesazhin e urimit të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. 

Duke i uruar sukses në detyrën e tij të re, Ahmeti i kërkoi Metës vazhdimin e bashkëpunimit, që, sipas tij, filloi në kohëra të vështira për kombin shqiptar dhe që po vijon edhe sot.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›