Kodra e Priftit, me rrjet ujësjellësi
Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve do të nisë së shpejti ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për zonën e Kodrës së Priftit, që ka qenë një gangrenë për një kohë të gjatë. Zgjidhja e problemit të kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e Kodrës së Priftit do të jetë një nga prioritet e Bashkisë së Tiranës në buxhetin e ri. Drejtori i Përgjithshëm i Manaxhimit të Shërbimeve, Taulant Zeneli, i shoqëruar nga specialistë të bashkisë dhe kryetari i Njësisë Bashkiake Nr.3, Ilir Kokona, kanë inspektuar dje këtë zonë. Zeneli tha se pas një konsultimi me qytetarët dhe me Njësinë Bashkiake, do të ndërhyhet për ndërtimin e kolektorit dhe mbylljen e kanalit të hapur që përshkon përmes këtë zonë. “Bashkia, në kuadrin e përgatitjes së buxhetit për vitin 2012, në bashkëpunim me Njësinë Bashkiake dhe specialistët e saj kanë dalë në terren, duke takuar qytetarët dhe janë duke bërë të gjithë identifikimin e problematikave. Është parashikuar që të bëhet kolektori i ujërave të zeza, pasi këtu është një kanal i hapur, zona është e rindërtuar dhe ujërat e zeza derdhen në këtë kanal. Përveç kolektorit, do të futet në projekt komplet zona e Kodrës së Priftit, për t’u bërë e gjithë infrastruktura e nevojshme, duke përfshirë rrugën, ndriçimin dhe gjelbërimin”, - tha Zeneli. Sipas tij, problematika e zonës së Kodrës së Priftit do jetë një ndër projektet e para që do të fillojnë në vitin 2012 dhe po kështu po punohet në të gjithë zonat problematike të qytetit të Tiranës.