E Diel, 1 Nëntor 2026

Ali Berisha vepron jashtëligjshëm, nuk shfuqizon vendimin

Kryetari i Pejës, Ali Berisha, nuk ka ndërruar vendimin e zyrës së tij të prokurimit për t’i dhënë një kontratë një kompanie që ka pronarë dy zyrtarë komunalë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më 29 tetor se kompania e sigurisë fizike “Magnum” nga Peja, pronarë të së cilës janë Leonard Shabanaj dhe Vllaznim Përgjegjaj, të dy të punësuar në komunë, kishte përfituar në konzorcium me “Kos Security” tender nga komuna e Pejës, më 16 shkurt 2012 për sigurimin fizik të objekteve të administratës komunale - pa pasur licencë që kërkohej me tender.

Shabanaj mban pozitën e zyrtarit të lartë të drejtorisë së arsimit ndërsa aksionari tjetër Vllaznim Përgjegjaj atë të financave në këtë drejtori.
Komuna thotë se kryetari Ali Berisha është marrë seriozisht me këtë rast dhe se ende është duke shqyrtuar këtë çështje.

“Kryetari i komunës është i preokupuar mjaft shumë më këtë punë dhe është angazhuar në verifikimin e të gjitha të dhënave për zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigjet e zyrës së kryetarit.

Sipas saj, Berisha është konsultuar me zyrën ligjore të komunës dhe nuk ka gjetur konflikt interesi pasi që ligji për konfliktin e interesit nuk përfshinë zyrtarët e komunës që nuk kanë poste të larta publike.

“Duke u bazuar në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik kemi vërejtur se neni 4 i cili i trajton zyrtarët e lartë publikë përfshin kryetarët dhe zëvendëskryetaret e komunave, kryesuesit, zëvendëskryesuesit...”, thuhet në përgjigjen e komunës.

“Zyrtarët të cilët janë apostrofuar nga ‘Gazeta Jeta në Kosovë’ nuk i takojnë kësaj kategorie të udhëheqjes”, thotë kjo zyrë.

Edhe Agjencioni Kundër-Korrupsionit (AKK), përgjegjës për monitorimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit, kishte hapur hetime për këtë rast. Në fund, AKK kishte konstatuar se pozitat e zyrtarëve nuk i karakterizojnë si zyrtarë të lartë.

“Sipas nenit 4 të Ligjit Nr.04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, vendi i punës me legjislacionin në fuqi nuk i paraqet si zyrtarë të lartë dhe nuk është konflikt interesi”, thotë Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion.

Licenca

Gazeta kishte raportuar se në atë kohë kompania “Magnum” nuk posedonte fare licencë shtetërore për sigurim fizik e cila kërkohej me tender dhe që lëshohej nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Ajo e kishte fituar tenderin dy muaj pas themelimit të saj.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kishin deklaruar për gazetën se kompanitë që nuk posedojnë leje nuk mund të ushtrojnë këtë veprimtari.

“Kompanitë nuk mund të ofrojnë shërbime të sigurimit përderisa nuk kanë licencë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës”, thotë Merita Vidishiqi, zyrtare e MPB-së.

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se shërbimet mund të ofrohen vetëm pasi të marrin licensën.

Ndërsa në një përgjigje të dytë nga zyra e kryetarit thuhet se tenderi i është dhënë konzorciumit që ka pasur licencë.

“Sipas Komisionit Vlerësues, konzerciumi i cili është shpallur fitues për kryerjen e këtyre shërbimeve në komunën tonë ka poseduar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie.”

Ndërsa Shabanaj dhe Morina, nga disa persona që janë kontaktuar nga gazeta Jeta në Kosovë janë identifikuar si qift./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›