E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brigada 121 “Kumanova”, kërkon lirimin e Limajt

Ish-luftëtarët e Brigadës 121 “Kumanova”, përmes një njoftimi për media kanë reaguar ndaj arrestimit të Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tij pas kthimit të rastit “Kleçka” në rigjykim.

Këta ish-luftëtarë përmes këtij reagimi, kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Fatmir Limajt me të paraburgosurit e tjerë.

“Të shtunën në mënyrë mashtruese dhe duke u anashkaluar të gjitha procedurat ligjore, katër bashkëluftëtarëve tanë iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh në orët e vona të mesnatës. Ne, bashkëluftëtarët e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit jemi tepër të indinjuar me rastin në fjalë, ngaqë kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtësisë, në veçanti të drejtave të njeriut, të cilët u futën brenda në mënyrën më mashtruese të mundshme. Bashkëluftëtarët tanë janë të pafajshëm, pafajësinë e tyre e ka vërtetuar gjykimi ‘fer’ i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë në maj të këtij viti, me shpalljen e vendimit lirues nga të gjitha akuzat, kështu që asnjëherë nuk mund të pajtohemi me vendimin e Gjykatës Supreme që këtë rast ta kthejë në rigjykim”, thuhet në këtë njoftim.

Këta ish-luftëtarë thonë se kjo mbajtje në paraburgim e katër ish luftëtarëve, është duke u bërë me tendenca politike, të cilat sipas tyre janë duke iu futur duart në drejtësi.

“Kjo nuk është drejtësia perëndimore, mision ky që EULEX-i e ka në Kosovë. Vizita e shefit të EULEX-it, Xavier de Marnac, në Beograd, si dhe reagimet e zyrtarëve të Beogradit, në veçanti e kryeministrit Daçiq ndaj vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, tek ne nxjerr në pah prapë “Gjahun e shtrigave të EULEX-it ndaj ushtarëve të UÇK-së”. EULEX-i para dy-tre ditësh liron si të pafajshëm serbin Bulatoviç kinse në mungesë të provave dhe në vend që EULEX-i të reagojë ndaj kriminelëve në veri, ai hap një proces ndaj Limajt dhe bashkëluftëtarët të tij, duke i shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe e tërë kjo bëhet për t’i kënaqur apetitet e Beogradit”, thuhet më tutje.

Këto veprime të drejtësisë, sipas ish ushtarëve të brigadës 121 “Komanova”, lënë për të kuptuar se liria e qytetarëve të Kosovës, në veçanti e ushtarëve të UÇK-së, është e pasigurt. Andaj, ish-luftëtarët kërkojnë me ngulm që masa e paraburgimit të hiqet menjëherë.

Ndërkohë këta ish-luftëtarë kanë bërë thirrje që institucionet më të larta të shtetit të ndërhyjnë në këto shkelje të ligjshmërisë, siç thonë ata.

“Ne tani nuk mund të besojmë në këtë drejtësi, sepse ka kaluar në ndjekje politike dhe kjo na kujton të kaluarën e regjimit serb. Prandaj, bëjmë thirrje publike që për shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të deklarohen aktorët kryesorë të vendit: Presidentja, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministri i Drejtësisë, kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetari i Gjykatës Supreme, të cilët kanë përgjegjësi institucionale dhe politike para qytetarëve të vendit”, thuhet më tutje në njoftimin e ish-luftëtarëve të brigadës 121 “Kumanova”./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›