VV: Ministria e Pisllëqeve të Bajramit

Lëvizja Vetëvendosje gjatë një aksioni që ka pasur sot në sheshin “Nënë Tereza”, ka lëshuar sërish akuza ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ku kjo Lëvizje ke ka quajtur dikasterin që udhëheqë Rexhepi, si Ministrinë e Pisllëqeve.
“Është dukja më e paskrupullt e të vërtetës së këtij pushteti. Ky ministër na i shfaqë sheshit më shumë se askush tjetër tri elementet kryesore që e karakterizojnë secilin ministër tjetër dhe vetë kryeministrin e kësaj qeverie. (1) Është i korruptuar dhe kriminel, (2) i nënshtruar deri në pikë të fundit ndaj Serbisë dhe strukturave të saj paralele si dhe (3) është i dhunshëm dhe plotësisht i papërgjegjshëm karshi popullit të vet”, kanë deklaruar Vetëvendosja.
Lëvizja Vetëvendosje, kanë përmendur skandalin e pasaportave, për të cilin kanë thënë se i ka bindur edhe njëherë që nuk ka kontratë a tender në të cilin nuk vjedhin ministrat dhe kryeministri i kësaj qeverie.
Lëvizja Vetëvendosje, thotë se nënshtrimi i Bajram Rexhepit me shokë karshi Serbisë dhe strukturave të saj paralele në Kosovë është gjithashtu i lidhur me po këtë korrupsion e kriminalitet.
“Bashkëpunëtorët shqiptarë të kriminelëve në veri të vendit të cilëve mos-shtrirja e sovranitetit të Kosovës në atë pjesë iu konvenon shumë, janë shokë të Bajram Rexhepit kurse importuesit e mallrave të Serbisë në Kosovë janë financuesit e Hashim Thaçit dhe partisë së tij. Është shumë e qartë që pushtetarët fashistë në Serbi nuk do të dëshironin asnjëherë ndërrimin e kësaj qeverie, duke qenë se ka aq shumë përputhje në mes të planeve të Serbisë dhe veprimtarisë së Qeverisë së Kosovës”, thonë Vetëvendosje.
“Në Kosovë, sikur që nuk ka ministri të zhvillimit por të shkatërrimit ekonomik, njësoj nuk ka Ministri të Punëve të Brendshme por Ministri të Pisllëqeve të Bajram Rexhepit”.
Vetëvendosje thotë se vullnetin e tyre, për çlirim të plotë, për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, për barazi e drejtësi, po e pengojnë një tufë kriminelësh si puna e Bajram Rexhepit. Por Lëvizja Vetëvendosje thotë se vullnetin e popullit s’mund ta ndalë askush, dhe se fuqia e tyre më e madhe se ajo e pushtetit është “mjafton që të bëhemi bashkë”./Indeksonline/