E Diel, 1 Nëntor 2026

Ali Oseku për herë të parë në Galerinë Kombëtare

SHKRUAN: Aida Tuci 12-05-2011 10:56

Prej vitit 1992 Ali Oseku ka ekspozuar punët e tij që nga Brukseli, Ludvigsburg të Gjermanisë e deri në Greqi, por asnjëherë nuk ka çelur një ekspozitë vetjake në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, edhe pse ka qenë pjesë e shumë ekspozitave kolektive të hapura në mjediset e GKA-së. Ai ka marrë pjesë në ekspozitat kolektive të hapura në Tiranë, Vjenë, Stamboll, Zagreb, Varshavë, Padovë, Paris, Gostivar, Shkup Prishtinë, Gjakovë. Por tashmë ka ardhur koha që ai të çelë të parën ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Sonte në mbrëmje piktori i ngjyrave, bukurisë poetike, por dhe ekspresionizmit, siç është cilësuar ai nga kritika, do të çelë ekspozitën vetjake që do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 qershor në GKA.

Oseku sjell në këtë ekspozitë vetjake një numër punimesh në vaj, të prodhuara gjatë viteve të fundit kryesisht nga vitit 2009 e tutje. Krijimtaria e kësaj periudhe karakterizohet nga një kërkim i cili tregon më së miri përvojën e gjatë të artistit dhe kultivimin maksimal të pikturës së tij. “Ai është një piktor që në punën e tij përpiqet të manifestojë si parësore marrëdhënien artist-vepër arti dhe e bën këtë me thjeshtësi, me një qëndrim gati monokromatik, që shfaqet në sipërfaqe të tëra brenda telajos. Piktura e tij karakterizohet nga thjeshtësia në trajtim, përkorësia e skajshme e imazheve, dhe dashuria për ngjyrën si një element bazë piktorik. Të tria këto linja vihen në funksion të prodhimit të hapësirës (ose boshllëkut). Artisti duket se huazon mënyrën e pikturimit te Ekspresionizmit Abstrakt, për ta vënë në funksion të një vepre që njëkohësisht mund të lexohet edhe si jo-abstrakte.”- kështu prezantohet para publikut ekspozita e piktorit Alis Oseku.

“Hapësira apo prodhimi i saj është qëllimi i kësaj pikture, por kjo nuk është thjesht hapësira që ne shohim në punët e tij, ku krijimi pothuajse figurativ të kujton qiellin, detin, horizontin, por hapësira e pafundme që piktori përpiqet të prodhojë brenda kuadratit, duke e shpërbërë objektin e thjeshtë të pikturës së tij në mungesë të pikave të orientimit që na jep për ta lexuar atë. Është pikërisht mungesa e një perspektive të qartë, mungesa e peshës, mungesa e trupit,objektit fizik, është ndërtimi i reales nëpërmjet abstraktes apo shprehja e njëhershme e këtyre të dyjave që e bën pikturën e Ali Osekut një shprehje të pastër shpirtërore dhe filozofike. Horizontet që ne mund të shquajmë vagullt në këto piktura janë në fakt horizonte personale ku qenia e artistit takohet me pafundësinë dhe konceptin e saj”- shkruhet në kritikën për piktorin. Ali Oseku është fitues i Çmimi të Dyte në “Onufri-1995”, i Çmimit të Parë në Ekspozitën kolektive “Eduard Lir” etj. Aida TUCI

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›