E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtare të Librit në Torino

Në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, më i rëndësishmi në Itali dhe një prej më të rëndësishmëve në Europë, nuk do të mungojë as libri shqip. Të pranishëm mes shkrimtarëve më të njohur bashkëkohorë do të jenë dhe shkrimtarë nga Shqipëria. Përveç ekspozimit të librave dhe shtëpive botuese, janë programuar edhe takime me shkrimtarët shqiptarë që do të jenë të ftuar në sallonin ndërkombëtar të librit në Torino. Kështu një prej këtyre takimeve është dhe ai që do të zhvillohet të dielën me shkrimtaren shqiptare Elvira Dones, e cila sapo ka nxjerrë në qarkullim romanin e saj “Una piçola guerra perfeta”, e shtëpisë botuese Einaudi-Stile Libero Big, me parathënien e shkruar nga Roberto Saviano. Një ditë më vonë do të ftohet në takim edhe poeti shqiptar Gëzim Hajdari, i cilësuar si poeti i mërgimit. Diskutimet do të hapen nga Artin Picari dhe fjala e hapjes do të mbahet nga Ugo Fracassa. Një nga takimet interesante do të jetë dhe me autorë të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë. Një prej tyre është reporterja Rosita Ferrato, që do të prezantojë librin e saj “Albania: sguardo di una reporter” (Shqipëria: në vështrimin e një reporteri”. Këto takime organizohen në kuadrin e aktiviteteve të seksionit Lingua Madre (Gjuha e Nënës) nën kujdesin e Qendrës së Kulturës Shqiptare në bashkëpunim me Shoqatën Vatra të Torinos, shoqata Illyricum dhe FIAP, me ndihmën e Ambasadës Shqiptare në Romë. Ndër të tjerët do të jenë të pranishëm konsulli shqiptar në Milano, Gjon Çoba, Davide Demichelis, Benko Gjata dhe Daniela Finoçhi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›