Provimet, 10 ditë koha e shpalljes së rezultateve
Një tjetër e re për Maturën 2011 është shkurtimi i kohës së shpalljeve të rezultateve të çdo provimi. Kështu, sipas afateve të vendosura nga MASH, këtë vit, rezultatet e çdo provimi të Maturës do të dalin jo më vonë se 10 ditë nga dhënia e secilit prej tyre, nga 15 ditë që ka qenë më parë. Një maturant që të fitojë Diplomën e Maturës, duhet t’u nënshtrohet katër provimeve të Maturës, të detyruara dhe me zgjedhje, që do të zhvillohen vetëm me shkrim. Lëndët e detyruara do të zhvillohen në ditë të ndryshme, ndërsa ato me zgjedhje në të njëjtën ditë. Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme, si dhe ka plotësuar formularin përkatës. Maturantët mbetës, qoftë edhe në një lëndë në vitin e katërt, si dhe në shkollat 3+2 vjeçare, e humbasin të drejtën për të hyrë në provimet e Maturës. Provimet e lëndës ku maturantët rezultojnë mbetës jepen në sezonin e vjeshtës. Nëse ato fitohen, maturantit i jepet e drejta për të dhënë provimet e Maturës vetëm në vitin shkollor pasardhës.