Aliaj: Interpretimi i Katjas jepte dritë
Shuhet në moshën 70-vjeçare ylli i baletit rus, Yekaterina Maksimova. Ka interpretuar rolet më të mëdhenj të baletit klasik: "Zhizel", "Arrëthyes", "Liqeni i Mjelmave", etj. Nga koha e studimeve në Moskë, koreografi Agron Aliaj kujton debutimin e parë të saj në teatrin "Bolshoi"
Një nga emrat më të njohur të skenës së baletit botëror, Yekaterina Maksimova, u nda nga jeta në moshën 70-vjeçare, dy ditë më parë. Vdekja e Maksimovës ishte e papritur për gjithë komunitetin artistik, pasi ajo nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe bënte jetë aktive në teatrin "Bolshoi" të Moskës, vend në të cilin kaloi gjithë jetën, fillimisht si balerinë e parë dhe me vonë si mësuese dhe repetitore.
E lindur në Moskë, më 1 shkurt 1939, Yekaterina Maksimova përfundon shkollën e baletit po në këtë qytet, në vitin 1958. Në vitet '50-të, në shkollën e baletit në Moskë, në të njëjtën kohë me Maksimovën, studionin edhe gjashtë shqiptarë, mes tyre edhe Agron Aliaj. Njeriu që jo vetëm do të ishte një nga themeluesit e shkollës shqiptare të baletit, por që ende është koreografi i vetëm që njeh skena jonë e baletit.
Studionte një vit më lart se Katja, si e quan shkurt baletmaestri shqiptar, dhe tani që ka marrë vesh lajmin e vdekjes së saj, sjell në mendje prezencën e balerinës në atë shkollë. Edhe pse nuk ka kërcyer kurrë me të, ai e kujton me nostalgji kolegen ruse. "Ishte një balerinë e mrekullueshme. Jo vetëm që kishte një teknikë të mirë, por ishte edhe shumë e bukur. Ishte një balerinë e vogël, e brishtë, e veçantë, njësoj si një perlë. Çdo interpretim i saj jepte një dritë të veçantë", - kujton Aliaj.
Edhe pse u kthye në Shqipëri, ai vazhdonte të ndiqte jetën artistike të vendit ku studioi, madje sot tregon se çdo të mërkurë në mbrëmje, ndjek në një kanal televiziv rus, një rubrikë që i dedikohet baletit.
Ka kaluar afro gjysmë shekulli që kur studionte në Rusi dhe artistit shqiptar i kujtohet shëtitja që bënte në klasat e shkollës së baletit, për të parë talente si Katja. "Më kujtohet debutimi i saj i parë si profesioniste, pas përfundimit të shkollës. Ishte baleti "Zhizel"," - thotë Aliaj.
Kjo ka qenë edhe shfaqja e parë dhe e vetme ku e ka parë të kërcejë në skenën e teatrit "Bolshoi" në Moskë. Më tej thotë se debutimi i parë i Maksimovës ishte një ngjarje e madhe kulturore, jo vetëm për baletin rus, por edhe atë botëror. "Për baletin "Zhizel", Katja punoi me ish-prima balerinën e madhe, Galina Ulanova. Të gjithë prisnin me ankth se çfarë do t'i kishte transmetuar nga teknika e saj Katjas. Dhe "Zhizeli" i Maksimonovës ishte një mrekulli".
Emri i dytë, me të cilin e thërrisnin, ishte "Madam No", për shkak se kur i ofrohej një rol, ajo gjithmonë refuzonte, duke thënë se kishte frikë se nuk do të ishte në gjendje ta interpretonte. Por, në fund, bindej dhe pothuajse gjithë skenat e botës e kanë parë se çfarë ishte në gjendje të bënte ajo. Gjatë gjithë jetës do të shoqërohej nga bashkëshorti dhe partneri i saj në skenë, Vladimir Vasiliev.
Yekaterina Maksimova ka pasur një repertor të pasur, që përmbante pothuajse të gjithë rolet kryesorë të veprave më të mëdha të baletit klasik, si Mashën e vogël dhe Mashën princeshë tek "Arrëthyesi", Aurorën te "Bukuroshja e fjetur", "Zhizelën", Kitrin te "Don Kishoti, Odil-Odetën te "Liqeni i mjelmave", etj.
Ndodhi, ishte krejt e rastit që, pak ditë më parë, gjatë premierës së "Krijimit" J. Haydn, në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit ishte vendosur një ekspozitë simbolike me foto të balerinëve më të mëdhenj botërorë. Mes tyre qëndronin edhe fotografi të disa prej roleve më të mira që Maksimova kishte interpretuar me bashkëshortin Vladimir Vasiliev. Një ekspozitë që, në një farë mënyre, i bëri homazh balerinës para vdekjes.
"Ishte një balerinë e mrekullueshme. Jo vetëm që kishte një teknikë të mirë, por ishte edhe shumë e bukur. Ishte një balerinë e vogël, e brishtë, e veçantë, njësoj si një perlë. Çdo interpretim i saj jepte një dritë të veçantë"
TOB-i prezanton foto të Maksimovës në një ekspozitë krejt të rastit, duke i bërë balerinës, në një farë mënyre, homazh para vdekjes.
Një ekskursion muzikor me "Roma Classica"
Sot, në orën 19:00, në Akademinë e Arteve, kuinteti "Roma Classica" prezantohet me koncertin "Alfa dhe omega, një shëtitje muzikore në shekuj". Formacioni muzikor përbëhet nga Santi Interdonato dhe Ilaria Cusano, në violinë, Umberto Vassallo në violë, Jacopo Di Tonno, në violonçel dhe Andrea Pighi në kontrabas.
"Alfa dhe omega, një shëtitje muzikore në shekuj", i ofron publikut një ekskursion në epokat dhe stilet e muzikës, nëpërmjet muzikës së Vivaldit, Bach-ut, Haydn-it, Mozart-it, Tchaikovsk-it, Grieg-ut dhe Gershwin-it. Formacioni muzikor është krijuar në vitin 1998 me solistë të Akademisë Shtetërore të "Santa Cecilia" të Romës dhe mësues dhe instrumentistë të njohur. Koncerti organizohet nga Instituti Italian i Kulturës, në kuadër të sezonit ndërkombëtar të muzikës "Klasik".
Akira Kurosawa, ëndrra e një njeriu për të gjithë njerëzit
Regjisori japonez, Akira Kurosawa, prezanton ëndrrat e tij në veprën "Dreams", sot në orën 19:00, në kinemanë e Akademisë "Marubi". Janë tetë filma me metrazh të shkurtër, me skenar dhe regji të Kurosawa-s, që tregojnë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen: "Sunshine Through The Rain", "The Peach Orchard", "The Blizzard", "The Tunnel", "Crows", "Mount Fuji in Red", "The Weeping Demon", "Village of the Watermills" dhe "Vincent Van Gogh", ku në rolin e piktorit interpreton Martin Scorsese. Në këtë film tregohen mendimet dhe vizionet e një njeriu për të gjithë njerëzit; ëndrra e një njeriu për të gjithë ëndërrimtarët. Një koleksion përrallash të bazuara në ëndrrat e regjisorit Akira Kurosawa. Filmi është shfaqur për herë të parë në vitin 1990 në SHBA. Zgjat 119 minuta dhe shoqërohet me titra në anglisht.