E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, ngrihen pikat e karantinës

PANDEMIA/ Pas dhënies së alarmit për përhapjen e shpejtë të sëmundjes, në Durrës janë marrë masat e para

Çdo person që hyn në portin e Durrësit duhet të deklarojë nëse vjen nga shtetet ku ka rënë gripi i derrave

DURRËS - Në Durrës janë marrë menjëherë masa për parandalimin dhe mbajtjen e situatës mbrojtëse kundër gripit të derrit. Sipas Lida Boshkut, drejtoreshës së Shëndetit Publik në këtë qytet, tashmë është ngritur edhe shtabi i emergjencës që po bashkërendon punën me institucione të tjera. Boshku e ka cilësuar situatën në botë tepër alarmante dhe mjaft të rëndë.

"Për këtë, - thotë Boshku, - janë marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e këtij gripi, duke ngritur karantina në të gjitha pikat shëndetësore të qarkut, si dhe duke forcuar kontrollet në pikën kufitare të portit të Durrësit". Boshku ka bërë thirrje që banorët ta vlerësojnë qartë këtë rrezik që mund të anashkalohet nëse kujdesi është në nivelin e duhur.

Ajo u shpreh se të gjithë banorët duhet që të qëndrojnë në ambiente sa më pak të populluara. Krahas kësaj thirrjeje dhe veprimeve të tjera konkrete që po bëhen në kuadër te mbrojtjes nga kjo sëmundje masive me pasoja nëse bie në zona të caktuara, Boshku deklaroi se një vëmendje e veçantë po iu kushtohet shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

Por si më e veçantë, ka cilësuar ajo, është puna në zonat kufitare të rrethit dhe sidomos në Portin e Durrësit, ku edhe njerëzit që kanë pasur kontakte me zona të infektuara mund të jenë rrezik real dhe më i madh. "Për këtë, - ka sqaruar ajo, - në portin e Durrësit është ngritur pika e karantinës.

Këtu, - ka sqaruar Boshku, - sipas një udhëzimi prej 12 pikash, të gjithë udhëtarët që do të kalojnë kufirin shqiptar, do të pyeten nëse kanë qenë në zonat e prekura nga gripi i derrit dhe ndërkohë çdo inspektor sanitar duhet të sigurohet që pranë pikës së kontrollit të ketë mjete të mbrojtjes personale, si: maska, doreza dhe dezinfektantë.

\Në këtë kuadër, në pikën doganore të Durrësit është ngritur karantina për izolimin e personave që vijnë nga vendet ku kjo dukuri tashmë është tepër reale dhe e prekshme. Shefja e Shërbimit Antiepidemik në portin e Durrësit, Liljana Olldashi, pohon se në kuadër të këtyre udhëzimeve, të gjithë udhëtarët që mbërrijnë në këtë pikë kufitare po monitorohen, si dhe intervistohen.

Në rast se ata dyshohen, dërgohen menjëherë për në karantinë, ku dhe iu nështrohen analizave. Sipas statistikave, vetëm në orët e para të mëgjesit të ditës së djeshme kanë mbërritur në portin e Durrësit mbi 480 udhëtarë. Nga intervistimet e kryera nga inspektorati sanitar, si dhe punonjësit shëndetësorë në pikën kufitare, nuk ka rezultuar të mbërrijnë persona nga vendet e kontaminuara, duke mos lënë vend për panik.

Por duke qenë se një ndër rekomandimet e specializuara te personelit mjekësor është se njerëzit duhet që të evitojnë grumbullimet masive, pasi këtu është edhe mundësia më e madhe e përhapjes se këtij gripi, nuk dihet se si do të veprojnë e si do ta zgjidhin këtë problem forcat politike në konkurrencën elektorale ku grumbullimet e simpatizantëve në salla e sheshe shërbejnë si pjesë e luftës psikologjike e supremacisë së forcave kundrejt njëra-tjetrës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›