Shorti, 166 zyrtarë në sitë për pasurinë
Zarfat janë tërhequr nga qytetarë të ndryshëm të pranishëm në sallë gjatë procesit të përzgjedhjes
Inspektoriati i Pasurive hedh shortin për verifikimin e pasurive të deklaruara nga zyrtarët e lartë të shtetit
TIRANË- Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të kryejë një hetim të plotë për verifikimin e pasurive të 166 zyrtarëve të shtetit. Këta të fundit u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme nëpërmjet një shorti që u zhvillua dje në ambientet e këtij institucioni. Emrat e zyrtarëve, pasuritë e të cilëve do të verifikohen me hollësisht nga ekspertët e ILDKP-së, u zgjodhën nga një listë prej 4142 personash të cilët kishin bërë vetëdeklarimin e pasurive, si detyrim ligjor për postin që mbajnë.
Në kuadrin e aktivitetit "ILDKP me dyer të hapura", procedura e shortit këtë vit mbarte në vetëvete një risi. Ndryshe nga vitet e tjera, përzgjedhja e subjekteve në short u krye nga vetë qytetarët. Ata tërhoqën nga kutitë ku ndodheshim mbi katër mijë zarfa, numrin e përcaktuar për kontroll. Zarfat ishin të shënuar me numra, të cilëveu korrespondonin emrat e zyrtarëve që janë subjekte deklaruese në ILDKP.
Në listën me 166 subjektë, bien në sy, deputetë të Kkuvendit të Shqipërisë, inspektor të degëve të tatimeve në Tiranë dhe rrethe, punonjës të doganave, prokuror, gjyqtar, këshilltar në institucione të larta të vendit, subjekte të qeverisjes vendore, drejtues të policive në rrethe, etj.
Kështu, me statusin e deoutetit, një verifikim i plote i pasurisë, do të kryhet për deputetët e Partisë Socialistë, Erion Braçe, Arben Isaraj e Rajmonda Stefa dhe për deputetit njëkohësosht dhe kryetarit të Partisë së të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule. Pjesë e verifikimit të plotë gjithashtu do të jetë edhe Këshilltarja për Çështjet ekonomike e Kryeministrit, Suzana Guxholli dhe prefektja e Korçës, Elfrida Zefi.
Në listën, bëjnë pjesë gjithashtu edhe një sërë prokurorësh dhe gjyqtarësh të institucioneve ligjore në vend. Mes tyre të bie në sy edhe emri i Sokol Stojani, drejtuesit të hetimeve për dosjen e Gërdecit, në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, pjesë e listës janë edhe zëvendës drejtori i Drejtorisë së Përgithshme të Policisë së Shtetit, Ahmet Haxhiaj, Kryeinspektori i Inspektoriatit Qëndror Teknik pranë, ministrisë së Ekonomisë, Ilir Kurti, Drejtori i Politikave të Planifikimit Urban pranë Ministrisë së Punëve Publike, Marin Biçoku, kryekontrollorja pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, Miranda Haxhia dhe Drejtoresha e Autoritetit të Konkurencës, Lindita Lati.
Procedura
Sipas ligjit për deklarimin e pasurive, të zgjedhurit nga populli, punonjësit e shërbimit publik,etj., janë të detyruar që të paraqesin pranë ILDKP-së një procesverbal, ku të kenë paraqitur të gjitha të ardhurat e tyre vjetore, pasuritë e paluajtshme, llogaritë bankare, etj. Pas përmbylljes së këtij procesi, ILDKP, ndër mijëra emrat që kanë bërë këtë vetëdekarim, bën një verifkim të plotë të atyre që zgjidhen nëpërmjet një shorti që zhvillohet në ambientet e këtij institucioni, të cilët sipas ligjit duhet të korespondojnë me 4 për qindshin e numrit total të zyyrtarëve dhe të zgjedhurve që janë subjekt verifikimi.
Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit në short kanë marrë pjesë edhe qytetarët të cilëve i është dhënë mundësia që të zgjedhin nga një zarf, ku numri që ishtë shkruar brenda tij korrespondonte me emrin e njërit prej 4142 zyrtarëve që kanë bërë vetëdeklarimin. Sipas kreut të ILDKP-së Adriatik llalla, përveç emrave që dalin nëpërmjet shortit të rastësishëm, verifikim i plotë i pasurive bëhet edhe në rastet e denoncimeve ndaj çdo zyrtari. Më tej ai shtoi, se për çdo zyrtar të verifikuar njëherë nuk përjashtohet mundësia që të shqyrtohet edhe vitin e ardhshëm.
Emrat e disa zyrtarëve dhe të zgjedhurve, pasuritë e të cilëve do të verifikohen imtësisht
-Erion Braçe, deputet në Kuvendin e Shqipëërisë
-Arben Isaraj, deputet në Kuvendin e Shqipëërisë
-Rajmonda Stefa, deputet në Kuvendin e Shqipëërisë
-Vangjel Dule, deputet në Kuvendin e Shqipëërisë dhe kryetar i PBDNJ-së
-Elfrida Zefi, prefekte e Korçës
-Ahmet Haxhiaj, zëvendës drejtori i Drejtorisë së Përgithshme të Policisë së Shtetit
-Sokol Stojani, prokuror në prokurorinë ë përgjithshme dhe drejtues i hetimeve për dosjen e gërdecit
-Suzana Guxholli, këshilltare për çështjet ekonomike e kryeministrit
- Miranda Haxhia, kryekontrollore pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit
- Lindita Lati, Drejtoreshë e Autoritetit të Konkurencës
- Marin Biçoku , Drejtor i Politikave të Planifikimit Urban pranë Ministrisë së Punëve Publike
- Ilir Kurti , Kryeinspektor i Inspektoriatit Qëndror Teknik pranë ministrisë së Ekonomisë.