E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibali: PR, kundërshton përpjekjet e Serbisë për ndarjen e Kosovës

Nënkryetari i PR, Neritan Alibali, theksoi se plani është absurd, pasi u jep të drejtën 5 % të popullsisë së Kosovës që janë serb, të krijojnë shtet brenda shtetit me struktura paralele. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të krijuar “Serbska Republika” në Mitrovicë, por edhe në brendësi të Kosovës. Alibali tha se realizimi i këtij plani do të destabilizonte në mënyrë të rrezikshme jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin në tërësi.

Partia Republikane kundërshton kategorikisht përpjekjet e Beogradit për realizimin e planit prej gjashtë pikash që tenton ndarjen territoriale të Kosovës. Përpjekjet për të shkëputur nga qeverisja e Prishtinës policinë, doganat dhe gjyqësorin në territoret kosovare, të pretenduara nga serbët, përbën një rrezik të madh për të ardhmen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj.
Nënkryetari i PR, Neritan Alibali, deklaroi se ky është një plan absurd, që u jep të drejtën 5 % të popullsisë së Kosovës që janë serb, të krijojnë shtet brenda shtetit me struktura paralele.
“Kjo është një përpjekje për të krijuar ‘Serbska Republika’ në Mitrovicë, por edhe në brendësi të Kosovës. Realizimi i këtij plani do të destabilizonte në mënyrë të rrezikshme jo vetëm Kosovën, por edhe tërë rajonin. Pavarësia e Kosovës dhe tërësia territoriale e saj tashmë janë të pakthyeshme”, tha Alibali.
Sipas tij, deklarata e Presidentit Sejdiu, se të gjitha arritjet e rëndësishme në Kosovë si; Paketa Ahtisaari, shpallja e pavarësisë, Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj, janë realizuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët, është argument bindës që komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë konsekuent për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të ri të Kosovës.
“Gjithashtu deklaratat e kryeministrit Thaçi, se politika dhe qytetarët e Kosovës nuk do bëjnë kompromis për tërësinë territoriale të saj, mbyll çdo hapësirë për pretendimet e Beogradit. EULEX, deklarojnë liderët kosovar, sipas Planit Ahtisaari duhet të shtrihet me të njëjtat kompetenca në të gjithë territorin e patjetërsueshëm të Kosovës. Në të njëjtën linjë është edhe deklarata e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit që thekson se nuk do të ketë tërheqje nga zbatimi i Planit Ahtisaari. Kjo dëshmon se pavarësisht nga momenti i kalimit të presidencave, politikat e SHBA ndaj Kosovës mbeten të pandryshuara”, theksoi Alibali.
Në këtë drejtim, Partia Republikane, mbështet dhe inkurajon qëndrimet konsekuente dhe të drejta të përfaqësuesve të shtetit kosovar dhe njëkohësisht shpreh bindjen se i gjithë spektri politik shqiptar, si pozita ashtu edhe opozita, në çdo rrethanë të mundshme, do të mbështesin çështjen e drejtë të tërësisë territoriale të Kosovës. “Ky është një moment ku politika shqiptare duhet të jetë në një zë për të mbrojtur hapur çështjen e të drejtave të Kosovës. Sot Kosova është në rrezik, heshtja në këto momente do të kishte pasoja fatale për të ardhmen e kombit”, vuri në dukje nënkryetari i PR, Neritan Alibali.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›