E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e Pestë

Shqiptarëve, me histori tejmase të vështirë e plot pasoja, trembja politike u ka marrë trajtën e sindromës, ose, thënë ndryshe, “jemi si të rrahun kreje”. Kur ndodhin diku ngjarje të mëdha, si, përshembull, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne përjetuam dyfish, gëzim për aletatin dhe droje ndaj vetes.
Të veçohesh ndër gjithë të tjerë, si kombi më proamerikan i botës, nuk është pa shkak. Një korigjimi i historisë sonë tragjike është kryer. Ajo, thuajse, u përmbyll në 100 vjet, duke bërë pjesë organike të saj, edhe katër kohë amerikane.
Koha e Parë i përket fillimshekullit të kaluar. Kjo lidhet me emrin e Presidentit Uillson. SHBA penguan coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Nëse amerikanët nuk do të kishin kryer atë ndalim, shteti shqiptar, i pafuqishëm dhe pa aleatë, ndoshta, do të qe zhbërë, edhe përfare.
Koha e Dytë është e vendosur në fund të shekullit të kaluar. Ajo mban emrin e Presidentit Xhorxh Bush - ati. Gjatë krishtlindjeve të vitit 1992, shqiptoi paralajmërimin dyfjalësh “Red Line” (Vijë e Kuqe), për Serbinë e Millosheviçit, që të mos guxonte kapërcimin e saj, për në Kosovë. Edhe ata që nuk dinin fare anglisht, e shqiptonin në atë gjuhë, thënien e madhe mbrojtëse.
Koha e Tretë është e lidhur fort me Presidentin Bill Klinton. Ai ka mbetur në historinë e shqiptarëve si çlirimtari i Kosovës. NATO, nën drejtimin e SHBA, u detyrua të godiste ushtarakisht ish- Jugosllavinë, për të mos lejuar spastrimin etnik të një populli të tërë.
Koha e Katërt mban vulën e Presidentit Xhorxh Bush - i riu. Me kthjelltësi politike e durim durimtari për bashkëpunim, bëri sa mundi për të përmbyllur me bisedime statusin përfundimtar të Kosovës. Serbia e Rusia nuk deshën, kurrësesi. Por, SHBA dha një mbështetje të jashtëzakonshme të dyfishtë: Më 18 shkurt 2008 njohu pavarësinë e Kosovës, më 3 prill Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO.
Kohë të Pestë, a do të ketë dhe, nëse po, si do të jetë ajo?
Ditën e zgjedhjeve të papara amerikane, të 4 nëntorit 2008, një numër mediash shqiptare dhe gazetarësh shqiptarë, që nga Tirana deri në Uashington, stërpërsëritën pyetjen e drejtpërdrejtë, për çdo të ftuar në studio apo të intervistuar në rrugë, në kontekstin e mëdyshjes: Cilin do të ishte më mirë të votojnë shqiptarët, kandidatin republikan John McCain apo kandidatin demokrat Barack Obama? Ditën e shpalljes së Obamës, President i SHBA, pyetja u fol nga fundi, për të dalë në krye. Ishte ndryshe me një ditë më parë, siç kthehen kahjet e shkrimit, ta zemë shqip me kinezisht: Presidenti Barack Obama, a do të vijojë të njëjtën mbështetje të Presidentit Xhorxh Bush, ndaj Shqipërisë dhe Kosovës? Këmbëngulja e pandërprerë, në përsëritjen e këtyre dy pyetjeve dhe për disa ditë, përveç që e varfëronte bisedën - pyetje të njëjta përgjigje të njëjta -, dukej sikur bëhej për të përcilljellë nënkuptime të rafinuara dhe të ngacmonte sindromin tonë të drojës politike: A mos nxiste të shprehej paragjykim ndaj Presidentit të ri?! A mos, sikur thoshte, do të ketë anim politik kah Serbia, në dëm të Kosovës, përderisa Presidenti i ri është nga shteti Ilinois dhe atje ka një përqendrim emigrantësh serbë?! A mos, sikur mëtohej, të cyste me dinakëri: boll u mbështet e djathta, mbështesni të majtën?! Ndoshta, jo nga pyetja e njëtrajtshme dhe përgjigjet e rrafshta, qarkulluar nëpër studio e rrugë, por mbase edhe nga kjo, zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, foli dhe, siç duket për t’u kuptuar nga të gjithë e papërkthim, e tha në një shqipe të saktë: Politika e Shtetve të Bashkuara të Amerikës nuk do të ndryshojë, si për Shqipërinë ashtu dhe ndaj Kosovës.
Mesnatën e 4 nëntorit, Barack Obama, Presidenti Nr. 44 i SHBA, përpara mijëra njerëzve të mbledhur në Çikago, tha pesë fjalët që hynë në historinë e fitores së tij dhe të SHBA: “Ndryshimi ka ardhur në Amerikë”. Rrugëtimi i vështirë i Obamës, deri në Shtëpinë e Bardhë, është njëherësh udhëtimi i gjatë i shumë brezave të popullit me ngjyrë, për t’u bërë i barabartë, deri te maja - Presidenti. Kurse, mesditën e 17 shkurtit 2008, po të qenë përdorur pesë fjalët e Obamës, do të ishte e njëjta gjë: ”Ndryshimi ka ardhur në Kosovë”. Ishte, poashtu, udhëtimi i gjatë i shumë brezave njerëzorë të sakrifikuar, vetëm për të qenë të barabartë, deri te maja - Liria. Administrata e Presidentit Obama, çështjen shqiptare në Ballkan e gjen thuajse të përfunduar: Kosova e Pavarur. Shqipëria në NATO. Shqiptarët e Maqedonisë me më shumë të drejta kombëtare. Shqiptarët e Malit të Zi, pjesë jetësore e tij. Uashingtoni, duke mbështetur demokracinë në Shqipëri dhe mbrojtur pavarësinë e Kosovës, i ka vënë këto dy shtete përballë detyrimit të ndërsjellë e madhor: Ta ruajnë e ta forcojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës - vlerë e pazëvendësueshme e fituar dhe të shpejtojnë proceset integruese për në Bashkimin Europian - cak përfundimtar i ëndërruar.
Kjo është Koha e Pestë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›