E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me ndarjen e festave, paralajmërohet ndarja e Bosnjës

Para jo më pak se gjashtëdhjet e pesë vitesh në qytetin e Mrrkonjiq-Gradit, delegatët e mbledhur nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina, njëzëri sollën vendimin për rinovimin e shtetësisë së shtetit të tyre. Këshilli vendor antifashist për çlirimin e popullit të Bosnje-Hercegovinës me 25 nëntor të vitit 1943, aprovoi aktin në të cilin thuhej: “BeH nuk është as e serbëve, as e kroatëve, as e muslimanëve, por edhe e serbëve edhe e muslimanëve edhe e kroatëve, si e tillë të vllazërohet në bashkësi në të cilën do të sigurohen të drejta të barabarta për të gjithë Serbët, Muslimanët dhe Kroatët.” Në ato momente nuk bëhej fjalë për ndonjë hapësirë gjenocidiale siç është sot “Republika Serbe” ose i një “herceg-Bosne” të mundëshme, por vetëm për një shtet të bashkuar, në të cilin do të jetonin të gjithë në harmoni me njëri-tjetrin. Sot, pas gjashtëdhjet e pesë viteve situata është shumë më ndryshe! Bosnja dhe Hercegovina, ky shtet i brishtë i dalë nga një luftë e tmerrshme po ballafaqohet me shumë vështërsi. Ky është fakt i cili vërehet kudo, qoftë në politikë, drejtësi, ekonomi, marrëdhënie ndërkombëtare etj, por kjo nuk lë hapësirë të konkludosh se kjo Bosnje-Hercegovinë e pas-Dejtonit do të bjerë siç pohuan para disa kohësh dy ish-emisarët, Richard Holbrooke dhe Paddy Ashdoën. Holbrooke ishte arkitekti kryesor i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit e cila përfundoi luftën e viteve 1992-1995 në BeH. Eshdaun shërbeu si përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar në BeH nga 2000 në 2006. "Sot vendi është në rrezik të vërtetë shkatërrimi," shkruan ata në një artikull të përbashkët të botuar në Dnevni Avaz, të Sarajevës. "Vendosmëria dhe uniteti trans-atlantik janë të nevojshme në qoftë se nuk duam të hyjmë si somnambul në një tjetër krizë". Është naive të besosh se pa një ndihmë të bashkësisë ndërkombëtare Bosnje-Hercegovina mund t’i zgjidhë e vetme problemet saj. Ata të cilët kanë vendosur të bëhet kështu me BeH e kanë përgjegjësinë kryesore. Shteti i brishtë e i endur në një kohë prej më shumë se një dekade nga fuqitë e jashtme nuk ka perspektivë Europiane! Komuniteti i çoroditur ndërkombëtar po luan një lojë të rrezikshme duke barazuar dy të ashtu emëruar “rivalë politikë” z.Haris Sillajxhiq dhe z.Millorad Dodik se gjoja të dy janë fajtor për stagnimet në BeH. Mirosllav Llajçak, sllovaku që shërben si udhëheqës në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnje dhe Hercegovinë me një diplomaci të sertë dhe një detyrë e cila dita-ditës po shkon duke u dobësuar i gjen si fajtor kryesor një atdhetar i cili e do vendin e tij me zemër dhe një kapadai i cili po kërkon ndarje të entitetit të krijuar mbi gjenocid. Millorad Dodik, kreu i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), u bë kryeministër i Republikës Serbe të BeH si properëndimor, por pasi e morri nën kontroll absolut qeverisjen me këtë entitet fillojë të flasë ndryshe. “Unë nuk kam ngjitje emocionale ndaj Bosnje-Herzegovinës, dhe as e dua. Jam emocionalisht shumë i lidhur me RS dhe besoj se kjo mund të funksionojë," pohon kryeministri Millorad Dodik. Edhe pse Marrëveshja e Dejtonit parasheh një Bosnje-Hercegovinë të bazuar në barazi mes etnive, ka tendenca te cilat Republiken Serbe e paraqesin si territor ekskluziv serb. Marrëveshja e Dejtonit hoqi Republiken e Bosnjë dhe Hercegovinës, e krijoj Republiken Serbe, kundrejt entitetit të instaluar të quajtur Federata e BeH, plus një koridor të emruar Distrikti i Bërçkos. Fakti që ky shtet është i kurorëzuar me një marrëveshje të dizajnuar nga ndërkombëtarët ka faktuar se mekanizmi i Dejtonit i ka shpenzuar të gjitha mundësit historike të saj. Sipas ndarjes së forcave politike në BeH nuk ka as një fuqi të brendshme e cila do të mund të tejkaloj problemet e krijuara nga mekanizmi kushtetues i cili rrjedh nga Aneksi IV i Marrëveshjes së Dejtonit. Mekanizmi kushtetues i Bosnjes dhe Hercegovinës si dhe i entiteteve është aq i komplikuar dhe kontrovers, sa që bllokon tërë sistemin e vendosjes. Asnjë vendim në parlamentin e BeH nuk mund të vihet në funksion, për deri sa nuk vendosin për këtë parlamentaret e Republikes Serbe si dhe parlamentaret e Federatës së BeH. Vërtetues i faktit që lufta në Bosnje-Hercegovinë nuk ishte luftë qytetare por agresion ndaj një shteti antarë të Kombeve të Bashkuar, ishte edhe deklerata e fundit e presidentit “pro-perendimor” Serb, z.Boris Tadiq. “Serbia i qendron besnike Marrëveshjes së Dejtonit”, deklaron presidenti Serb. Edhe tani Serbia fqinje në njërën ose tjetren formë po i bënë presion politikë ngjarjeve në Bosnje-Hercegovinë, kurse Moska përmes orvatjeve të ndryshme tenton një mbyllje të padefinuar të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Bosnje dhe Hercegovinë. Shkurt e qartë, Marrëveshja e Dejtonit i solli BeH paqe, por qytetarëve u solli shume gjera negative, duke filluar nga sistemi shumë i çoroditur politikë, shumë pengesa, shumë te panjohura, dyshime, bllokada, nga një herë edhe urrejtje. Tani situatat kanë ndryshuar, këtij shteti të brisht i nevojitet ndihmë e sinqertë nga komunitetit nderkombëtar. Krimineli serb i Bosnje-Hercegovinës, Radovan Karaxhiq u ekstradua në Hagë, por sipas asaj që duket, procesi kundër tij do të përshkojë trajektoren e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq. Nëse kjo gjë vërtet do të ndodhë, me plotë gojë mund të pohojmë se bashkësia ndërkombëtare po e dhunon mendjen e shëndoshë duke nënvlersuar provën dhe kujtimin nga e kaluara. Le të shpresojmë se një ditë Bosnja dhe Hercegovina do të festojë e bashkuar shtetësinë e saj! ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›