E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, koalicioni qeverisës në krizë të thellë

Çështja e Kosovës dhe integrimi në BE vazhdojnë të jenë shkaqet kryesore për përkeqësimin e marrëdhënieve në qeverinë serbe. Shkak këtë radhë është bërë qëndrimi i tri partive në koalicion, të cilat kanë mendime të ndryshme për çështjet më të rëndësishme si Kosova dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian. Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiç dhe Grupi 417 kanë hedhur akuza ndaj Partisë Demokratike të Serbisë të kryeministrit Vojislav Koshtunica. Sipas tyre, kjo parti po hedh poshtë parimet, në bazë të të cilave u formua qeveria dhe një nga parimet bazë është integrimi europian. Ndërkohë, Partia e kryeministrit thotë se nuk dëshiron të jetë pjesë e BE-së pa Kosovën. Por Tadiç është shprehur se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje të braktisë dy politikat bazë që po përpiqet të ndjekë: ruajtjen e sovranitetit të Serbisë dhe integrimin në Bashkimin Europian. Edhe partia tjetër G17 shpreh angazhimin e saj për qytetarët serbë, të cilët nuk janë të shqetësuar vetëm për Kosovën por edhe për probleme të tjera madhore si papunësia, varfëria, korrupsioni, probleme këto që nuk zgjidhen vetëm duke u integruar në Bashkimin Europian. Kriza qeveritare në Serbi vazhdon të marrë përmasa të mëdha. Presidenti properëndimor Boris Tadiç është shprehur pro Bashkimit Europian dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Megjithatë, ai ka deklaruar se edhe Kosova është një çështje shumë e rëndësishme, e cila nuk duhet anashkaluar. Sipas Tadiç-it, Serbia asnjëherë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës sepse ajo është pjesë e territorit serb. Ndërkohë, kryeministri Vojislav Koshtunica është shprehur plotësisht kundër nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në. Sipas tij, ky akt do të nënkuptonte njëherësh njohjen e pavarësisë së Kosovës. Koshtunica ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj misionit të BE-së që do të vendoset në Kosovë duke e quajtur atë ilegal. Megjithatë, qeveria e këtij vendi ka marrë mbështetjen e Moskës, e cila si gjithmonë ka qenë përkrah Serbisë. Presidenti Medvedev gjatë vizitës së tij në Serbi ka shprehur angazhimin e Rusisë për vazhdimin e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›