Dmitri Medvedev, fitues i zgjedhjeve presidenciale në Rusi
Ashtu siç ishte parashikuar, Dmitri Medvedev doli fitues i zgjedhjeve presidenciale ruse. Ai ka marrë 70 për qind të votave me një distancë të madhe në krahasim me kreun e Partisë Komuniste, Genadi Zyuganov, i cili ka marrë 18 për qind, ndërsa ultranacionalisti Vladimir Zhirinovski ka marrë vetëm 10 për qind. Fitorja e Medvedev është përshëndetur nga presidenti Putin, i cili ka uruar pasardhësin e tij për rezultatin. Nga Medvedev është dhënë lajmi se do të emërojë Putinin kryeministër të vendit dhe njëkohësisht do të ndjekë të gjitha politikat e tij si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Gjatë një konference për shtyp, presidenti i ardhshëm tha se Kushtetuta ruse i ka të përcaktuara qartë të dy postet dhe se është pikërisht presidenti ai që përcakton politikën e jashtme. Me këtë rast, Medvedev ka shprehur dëshirën që vizita e tij e parë jashtë vendit si president të ishte në një nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, nuk kanë munguar kritikat lidhur me këto zgjedhje. Vëzhguesit e vetëm perëndimorë në këto zgjedhje, një grup prej 25 anëtarësh nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, thanë në një konferencë shtypi se mandati i zotit Medvedev si president do të ishte solid, por se procesi kishte patur të meta duke lënë "të papërmbushur potencialin demokratik” të Rusisë. Megjithatë, Kremlini shumë shpejt ka reaguar duke thënë se deklaratat e vëzhguesve perëndimorë ishin të papranueshme. OSBE-ja bojkotoi vëzhgimin e zgjedhjeve kohë më parë prej kufizimeve që u vuri Kremlini vëzhguesve të saj. Ndarja e pushtetit mes presidentit dhe kryeministrit sipas vëzhguesve të situatës do të jetë në radhë të parë tregues i kursit që do të ndjekë Rusia në të ardhmen.
4 Mars 2008