Barroso: “BE-ja, në gjendje të lehtësonte zgjidhjen për Kosovën”
Kryetari i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka vlerësuar situatën lidhur me Kosovën. Sipas tij, përgjegjës për moszgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës nuk ishte Bashkimi Europian por Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Kush nuk ishte në gjendje të zgjidhte statusin e ardhshëm të Kosovës? Ky ishte Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilin ishte bllokuar zgjidhja”, - është shprehur Barroso gjatë një interviste. Sipas tij, BE-ja gjithmonë është shprehur e gatshme të lehtësojë zgjidhjen për statusin e Kosovës dhe të luajë një rol të rëndësishëm në Ballkan. “Bashkimi Europian ka demonstruar se është i gatshëm dhe është në gjendje të udhëheqë me procesin e stabilizimit në Ballkanin Perëndimor dhe të lehtësojë zgjidhjen e çështjes së statusit”, - tha Barroso. Sipas tij, kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë, kjo është çështje kombëtare. “BE nuk disponon më asnjë kompetencë për këtë çështje. Disa vende e kanë njohur, kurse të tjerat nuk e kanë njohur Kosovën”, - ka deklaruar Hose Manuel Barroso.
4 Mars 2008