E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Nuk ekziston asnjë mundësi që të ketë rivotim në Tiranë

Deputeti i PD-së: “Në fakt duhet ta kishin zgjidhur kohë më parë, nëse do të kërkonin pavlefshmëri të zgjedhjeve, apo do të ndiqnin siç ndoqën realisht çështjen e atakimit të rezultatit zgjedhor. Këtë ndarje të madhe do të duhet proceduralisht ta kishin bërë deri në momentin e datës 27 maj, i fundmi moment sipas së cilës një palë mund të atakonte procesin”.

TIRANË Për juristin demokrat, Enkeleid Alibeaj, nuk ekziston asnjë referim ligjor nga ana e PS-së, që të ketë përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë. Duke kundërshtuar tezën e socialistëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve, e për pasojë rivotim në Tiranë, Alibeaj, në një deklarim për mediat, citon nenin 160 të Kodit Zgjedhor, që flet për pavlefshmëri të zgjedhjeve në qendrat e votimit. “Kushti i parë është që duhet të ekzistojnë cenime ligjore, kushti i dytë është që të ketë ndodhur fatkeqësi natyrore dhe i treti të ketë ndodhur ndërprerje të procesit zgjedhor në njësinë përkatëse, për të cilat do të bëhet rivotimi apo pavlefshmëria. Dy të fundit nuk kanë ndodhur, i pari që është cenimi ligjor, të paktën formalisht, nuk është argumentuar ndonjë cenim i tillë ligjor, i cili të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve. Realisht dhe juridikisht nuk ekziston asnjë lloj mundësie teorike për të çuar Bashkinë e Tiranës në rivotim”, - tha dje Alibeaj. Ish-ministri i Drejtësisë i referohet edhe një pike tjetër të nenit 160 të Kodit Zgjedhor, pikërisht afateve që duhet të përmbushë një forcë politike për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve. Sipas nenit 160/2, subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi. Ky afat, sipas Alibeajt, nuk u ndoq nga PS-ja. “...Në fakt duhet ta kishin zgjidhur kohë më parë, nëse do të kërkonin pavlefshmëri të zgjedhjeve apo do të ndiqnin siç ndoqën realisht çështjen e atakimit të rezultatit zgjedhor. Këtë ndarje të madhe do të duhet proceduralisht ta kishin bërë deri në momentin e datës 27 maj, i fundmi moment sipas së cilës një palë mund të atakonte procesin”, - tha Alibeaj. Deputeti i PD-së shkon edhe më tej në logjikën e tij, teksa i referohet kërkesës së PS-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve, duke u bazuar në hedhjen më vonë të fletëve në kutitë e votimit. “...I vetmi moment kur mund të ndodhë është tek procesi i numërimit nga grupet e numërimit. Por grupet e numërimit, a nuk kanë qenë të përbëra nga anëtarë të PS-së dhe anëtarë të PD-së në barazi të plotë numerike?. Për më tepër, a ka qenë i vëzhguar plotësisht? Çfarëdolloj aludimi për manipulim, sipas përcaktimeve të z. Rama, do të duhet të ketë ndodhur para datës 23 maj”, - tha ai.

Neni 160

Pavlefshmëria e zgjedhjeve në qendrën e votimit

1. KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjekteve zgjedhore, i shpall zgjedhjet të

pavlefshme në një apo më shumë qendra votimi, në rast se:

a) kanë ndodhur shkelje të ligjit;

b) kanë ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të tilla, që kanë penguar

pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim; ose

c) votimi nuk ka filluar apo është pezulluar për më shumë se gjashtë orë;

dhe për cilindo nga këto shkaqe është cenuar procesi zgjedhor në një masë të tillë që

mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë

vendi.

2. Subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose,

sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë

së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi.

3. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet

ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.

4. Shqyrtimi i kërkesave bëhet sipas procedurave të përcaktuara në Pjesën X të

këtij Kodi. KQZ-ja, në marrjen e vendimit për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, mund

konsultohet me KZAZ-në përkatëse. Në arsyetimin e vendimit të KQZ-së duhet të

përshkruhet shkaku ligjor, rastet e vërtetuara të shkeljeve dhe arsyetimi i detajuar për

pasojën e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›